Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Gjuha shqipe në Shqipëri

$
0
0

Shkruan: Prof. Dr. Agron F. Fico/Tirane/*

Titulli i shkrimit  dikujt, ndofta, do t’i duket i habitshëm ose edhe i panatyrshëm, por dëshiroj të shpreh thjesht një shqetësim qytetar, një alarm dhe mbi të gjitha një ndërgjegjësim të domosdoshëm për gjendjen e çoroditur të gjuhës shqipe në ditët tona.

 “Mirëseerdhët”, pra me një shqipe të cunguar, shkruar mbi qemerin e portës së hyrjes kryesore të qendrës së re moderne tregtare “Concord Center”, vizitori hyn në sallat plot njerëz dhe mallra nga më të ndryshmet. Ishte dita e dytë dhe tek hyrja kishte radhë, duhej të prisje; kështu gjeta mundësi të flisnim me rojet për këtë gabim drejtshkrimor. Atyre iu duk i pakuptimtë, në mes asaj zallahie të turmës ky meraku ynë i vockël. Hymë brenda dhe, si vizituam disa sektorë mallrash, u ulëm dhe rufisëm nga një filxhan kafe në mes të shtëllungave të tymit. (Ligji për ndalimin e duhanit në mjediset publike është futur në arkivat e buriokracisë administrative). Duke rufisur kafe e duke dialoguar me gruan, edhe ajo është një mësuese e pasionuar e gjuhës shqipe, se cili do të ishte shkrimi i saktë i fjalës në qemerin e ndërtesës, shkrova në një skedë variantet e saktë: Mirë se erdhët!, Mirë se vini! (Shih: “Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe”, 1973, f.132, parag.67 B, f). Në dalje të ndërtesës skedën ia dhashë njërit nga rojet. Ai qeshi dhe, si e palosi skedën, e futi në xhepin e pasmë të pantallonave.

Ai ishte në të drejtën e tij, se shkolla nuk ia kishte mësuar drejt dhe saktë rregullat e drejtshkrimit. Ky lokucion pasthirrmor ishte shkruar jo saktë, ashtu siç janë me dhjetëra e dhjetëra tabela institucionesh e dyqanesh, emra rrugësh etj. me gabime gjuhësore. Po edhe këto nuk janë aq shqetësuese para masakrës gjuhësore, që bëhet në seancat e ndryshme të Parlamentit shqiptar. Aty do të dëgjosh  jo vetëm  dialektet dhe nëndialektet e shqipes,por edhe të folmet  e fshatrave dhe lagjeve  të ndryshme  nga qytete  dhe rrethet e Shqipërisë.

Në fjalimet, replikat, dialogjet e mjaft deputetëve kolltullofagë do të dëgjosh, në gojën e tyre të çthurrur e plot broçkolla, se si përlyhet dhe njolloset gjuha e bukur shqipe.

Këta parlamentarë shqip-prishës janë po ata që përdorin edhe më shumë fjalë, ndërtime dhe shprehje gjuhësore të huaja.

 

Masmedia, qoftë ajo e shkruar ose e folur, është më e papërgjegjshmja për thesarin gjuhësor. Gjen ose dëgjon ndërtime, fjalë dhe shprehje larg standartit të gjuhës letrare. Përgjithësisht ka një varfëri të leksikut dhe, rallë tepër rallë, gjen përdorimin e mënyrave habitore, dëshirore, që i japin ngjyrimin shqiptar frazës së shkruar ose të dëgjuar. Mungon dora e redaktorit gjuhësor nëpër gazeta ose programet televizive.

Më e pakëndshme është gjuha shqipe në librat e përkthyer. Edhe pse janë përkthyer e përkthehen shumë tituj nga letërsia e popujve të ndryshëm të botës e ke vështirë të gjesh ndonjë përkthyes të përkushtuar. Dihet se përkthimi është krijim/ punë krijuese. Ne kemi  tradita të pasura në lëmin e përkthimit dhe kemi pasur përkthyes të shquar me Fan Nolin në krye. Po përmendim pak prej tyre si: Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Sotir Caci, Enver Fico, Rober Shvarc, etj. Përkthimi i dobët, cilësia e ulët ka qenë dhe është edhe një ndër faktorët e rënies së interesit për librin e huaj dhe shitjes së tij.

 “Gjuha shqipeka shkruar gjuhëtari i madh Eqrem Çabejështë tabani i tabaneve të kombit”. Këtej buron edhe nevoja e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe institucioneve të saj për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe në standartin e shoqërisë demokratike e europiane që po kërkojmë të ndërtojmë. Rol parësor dhe kryesor ka institucioni i shkollës. Është për të ardhur keq që gjuha shqipe është hequr nga plani mësimor i shkollave të mesme. Pra brezi i ri shkollor e shkëputet mjaft herët nga mësimi i gjuhës shqipe. Kjo ndihet qartë edhe në vitet e univeristetit. Është viti i dytë që jap anglisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe studentët në fillim të semestrit të parë shfaqin dobësi dhe mungesa në gjuhën shqipe, prandaj u them se “kam ardhur t’ju mësoj gjuhën shqipe, se kështu do ta keni më lehtë të përvetësoni gjuhën e huaj, anglishten.” Përfundimet janë të dukshme në fund të vitiiti mësimor.

Ministria e Arsimit duhet ta rishikojë seriozisht vënien e gjuhës shqipe në shkollat e mesme, të nxisë hartimin e teksteve seriozë dhe të qëndrueshëm për gjuhën shqipe me bashkëpunimin e specialistëve të njohur të gjuhësisë e me mësues me përvojë të ciklit të shkollës së mesme.

Ministria  e Arsimit dhe Sporteve, si dhe shoqëria civile , duhet të alarmohen nga shiftat tronditëse të  rritjes së analfabetizmit. Të mendohet me përgjegjësi dhe në mënyrë krijuese.Krahas masave dhe progrmave shtetërore  mund te kerkohej edhe ndihmesa e arsimtartëve tane, atdhetarë dhe të përkushtuar.

Është ogur i mbarë për gjuhën shqipe që qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorti, që në ditët e para të saj vendosi detyrën e redaktorit gjuhësor në institucionet kryesore. Madje vetë Kryminstri  Edi Rama, ka një përkushtim  e kujdes të veçantë  për gjuhën shqipe.Kjo u pa dhe  ra në sy, siç e vri  në dukje edhe  masmedia,   në  fjalimin dramatik për amët kimike siriane. Dilema hamletiane “Të pranohet apo të mos pranohen armët kimike siriane”, që ishte thelbi i dalogut midis qeverisë, popullit, kombit shqiptar dhe kryemikut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shtjellua në një stilistikë gjuhësore në të cilën gërshetohej stili nolian me përdorimin e mënyrës kushtore të së ardhmes dhe sarkazma therëse e Konicës. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëkombasit tanë, kudo që janë, bashkë me vendimin e mundimshëm, por të drejtë e historik, shijuan edhe pamfletin e bukur gjuhësor.

Në fund një sqarim, që të mos shqetësohen si dashamirësit e shkrimit edhe ata jodashamirës. Esenë e shkrova thjesht si qytetar, ose më saktë me përgjegjësinë time qytetare për gjuhën e shtrenjtë dhe të shenjtë shqip e jo si profesionist. Për më tepër, larg qoftë, të hyjë në sferën e Akademisë sonë të Shkencave ose Qendrës së Studimeve Albanologjike, të cilat të lodhura nga heshtja “akademike” rrinë larg sfidave madhore dhe detyrimeve ndaj taksapaguesve shqiptarë. Nuk thanë asnjë fjalë, madje as gjysmë fjale për armët kimike siriane (shih shkrimin tim “Letargjia e Akademisë së Shkencave” tek “Shekulli”, 23 nëntor 2013, f.9). Ndërsa për gjuhën shqipe, një ndër kulmet e diskutimeve të tyre është përcaktimi se cilat fjalë të gjuhës shqipe duhet duhet të shkruhen me “ë” me dy pika dhe cilat fjalë me shronjë të madhe!

Me  më shumë dashuri dhe përkushtim për “gjuhën tonë” shqipe, i dashur lexues, dhe të frymëzuar nga filozofia e Rilindasit të madh, poetit Naim Frashëri për gjuhën shqipe si “gjuhë e mirë, e ëmbël… e bukur e plot vlerë”, dhe ajo do të krenohet me folësit e saj.

Tiranë,  dhjetor 2013

*Falenderojme autorin qe e dergoi artikullin per Diellin

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>