Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Europa në optikën e Epikës Historike të Luftës së Vlorës, 1920*/

$
0
0

shkruan; Albert HABAZAJ/ Studiues/

Para Njëzetës, qysh me Rilindjen Kombëtare ndërtohet Ura e Miqësisë midis kulturave europiane e adriatike të apeninëve  me ballkanasit perëndimorë, me kampion Qiririn e Gjallë të Motit të Madh ndër shqiptarë, arbëreshin De Rada, që e nderoi në një trajtë tjetër dhe Valencio më njëzetën, ndërsa pas njëzetës një  klerik italian i Urdhërit të Jezuitëve me përmasa dinjitoze për albanologjinë shfaqet me diturinë e tij për të mirë të Shqipërisë. Është At Zef Valentini  (Joseph) (1900 – 1975) që tha: “Shqipëria është perëndimore[1]. Qysh më 27 gusht 1913 Mihal Gramenoja shprehej: “I duhet dhënë ngjyrë europiane dhe jo aziatike shtetit të ri shqiptar[2]

Më vitin 1970 Instituti i Folklorit (sot IAKSA) botoi 108 këngë popullore për Luftën çlirimtare të Vlorës, që janë pasuri me vlerë e thesarit artistik të periudhës  së viteve ’20 -’30 të shekullit XX, me të cilat pasqyrohet, me një ndjenjë të zjarrtë dhe me art të goditur, fryma atdhetare e shqiptarëve, vendosmëria e tyre për të çliruar Atdheun, si dhe demaskohet tradhëtia e disa krerëve, të cilët, për të ruajtur interesat dhe privilegjet e tyre, u bashkuan me pushtuesit italianë. Europa përmendet në katër njësi folklorike.[3] Gjithsesi, këngët historike lartësojnë bëmat e luftëtarëve popullorë, si Selam Musai, Kanan Maze, Sali Murati, Zigur Lelo, Sado Koshena, Toto Hosi dhe dhjetëra trima të tjerë të shquar në këtë luftë.

1. Shenja europianizimi dhe Epika Historike e Luftës së Vlorës për Europën

Është një fakt interesant që vërehet  në një nga librat e parë të nivelit akademik, me titull “Këngë popullore historike”, ku  janë botuar dhe 43 këngë të Luftës së Vlorës, ndër të cilat, tri njësi folklorike[4] kanë në fokus Europën. Ja si këndohej që para 93 vjetësh në zjarrin e luftës: “Ki Adriatiku ndjerë,/ Pse s’bën valë këtë herë,/ Valë, dallgë dhe fortunë?” apo “Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o,/ Skel’ e parë në Evropë!”  E shpreh qartë dëshirën populli, ku mendon, ku e ndjen, ku kërkon  dhe e meriton të radhitet: “Në Europë thotë, jo në Azi a diku tjetër”. Më tej: “Obobo, seç qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!”. Përsëri me Europën e krahason vendin e tij jo me Afrikën a ndonjë tjetër. Vargje nga Epika Historike e Luftës së Vlorës janë trageti që qarkullon brigjeve adriatike, që lidhin jo thjesht Vlorën me Brindizin a Otranton, por Shqipërinë me Italinë e me Europën. Janë më shumë se dëshmi folkorike vargjet: “Evropa shkruajn’ e thonë…”, jo Azia apo Afrika, që flet për tendencën europiane të shqiptarëve, por jo si vasalë të të mëdhenjve, jo si skllevër kolonizatorësh, atyre që vuajnë nga kompleksi i madhështisë, por si të barabartë – me detyrimet e të drejtat përkatëse të njeriut, si europianë, me identitetin e traditat etnokulturore më të mira, trashëguar nga të parët, të harmonizuara me vlerat qytetare të komunitetit europian. Nuk i përbuz shqiptari afrikanët, aziatikët etj., përkundrazi i respekton qytetërimet e tyre, por ai e ndjen veten europian, është europian, veçse ende i paregjistruar në Gjendjen Civile të Europës…

1. 1. Europa për Luftën e Vlorës, sipas historianit Muin Çami

Historiani i njohur M. Çami, në botimin e tij më të fundit “Shqipëria në rrjedhat e historisë[5], na bën me dije se, kur fati i Shqipërisë e qenia e saj ishin në rrezik, dhe, pati pasojë shpërthimin e Luftës së Vlorës, në verën e vitit 1920, (ngjarje kjo shpëtimtare jo vetëm për krahinën e Vlorës, ku qe teatri luftarak, por për gjithë vendin,) Europa ravijëzoi dy qëndrime: njërin, shumë negativ dhe të mbarënjohur jo vetëm ndër shqiptarë e në rajon, tjetrin, në përkrahje të të drejtave kombëtare dhe shoqërore të popullit shqiptar. “Përkrahja e së majtës europiane ndaj problemit kombëtar shqiptar ishte më tepër e karakterit moral[6], sepse përveçse në një vend, në Bashkimin Sovjetik, ku qe në pushtet, forcat e majta, në kontinentin plak, vepronin në opozitë. Diku u shkonte më shumë fjala, diku kishin më pak peshë. Studiuesi prek mjaft çështje historike, por na nxit pohimi i tij se, në vitin 1920, në kohën e LV, pesha e përkrahjes nga e majta europiane qe rritur shumë dhe ishte shumë e prekshme. Duke ndjekur kronologjinë, marrim informacion se ka pasur raste që janë hartuar protesta kundër shkeljes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve, dhe që kanë denoncuar marrëveshjet e përfunduara nga Fuqitë e Mëdha në dëm të Shqipërisë, sidomos nga sindikatat e punëtorëve italianë, intelektualët, veprimtarët demokratë dhe deputetët e majtë në Itali, nga zëra me peshë specifike në Serbi apo në parlamentin e Sofjes, nga socialdemokratët bullgarë. Kur grafiku i padrejtësive historike të FM ndaj Shqipërisë po arrinte tavanin, sepse territoret shqiptare u ndodhën përpara një copëtimi të ri, kuvendarët dhe atdhetarët shqiptarë mblodhën Kongresin e Lushnjës, organizuan dhe zhvilluan luftën e armatosur dhe të drejtë të Vlorës [29 maj - 3 shtator 1920] që të mund të mënjanohej një katastrofa e tretë, që s’u realizua dhe s’mund të realizohet më, kurrë. Në rrugët e qyeteve italiane, në foltoret e parlamentit të Romës dëgjoheshin fuqishëm thirrjet “Jashtë duart nga Vlora dhe Shqipëria”. Pohojmë se, fitoret ushtarake të Trupave Kombëtare Shqiptare në Frontin e rajonit të Vlorës dhe zëri i ndershëm italian, sikurse janë të mendimit edhe shumë studiues të tjerë shqiptarë dhe të huaj[7], e “detyruan qeverinë italiane të mos dërgonte forca të reja ushtarake në Shqipëri, dhe më të fund të tërhiqej[8]

1. 2. Trajtimi folklorik i faktorit europian në Ciklin e Epikës Historike të Luftës së Vlorës.

Hollësisht do të trajtojmë njësitë folklorike, sipas botimit e nivelit akademik “Epika historike, 3”[9]. Theksuam se çështja shqiptare peshohej në dy kandarë europianë. Kandari i parë i shërbente “shpirtligësisë shtazarake” të FM dhe synimeve grabitqare deri shfarosëse të fqinjëve natyrorë ballkanikë. Kandari tjetër u bë një pikëmbështejeje ndërkombëtare për Atdheun e shqiptarëve dhe, ka qenë bartës e frymëzues, atje ku vihej vula dhe hipoteka e kombeve, për një zgjidhje sa më të drejtë dhe të ekuilibruar, për aqsa mundën të bëjnë  mrekullinë e tyre Shqiptarët e 1920 – ës. Ciklit të EHLV pak, deri aspak i interesojnë informacionet historike për atë realitet të situatës së zhvilluar brenda dhe jashtë vendit, të cilin e theksuam , sipas burimeve historike që na kanë rënë në dorë. Këngëtarit dhe luftëtarit të Njëzetës nuk i intereson se çfarë denoncoi serbi i mirë Dimitrije Tucoviçi, as alarmi që dha socialdemokrati bullgar G. Kirkovi nga rreziku i insalimit të një Fuqie të Madhe në Shqipëri, që do të thoshte plasdarmë sulmi e pushtimi dhe për Ballkanin. Këngës epike të LV i pëlqen që “Evropa shkruajnë e thonë/ Ç’është kështu si  dëgjojmë?/ Bënet – ë dyfek në Vlorë!/ Shqipëtarët po lëftojnë/ Me një mbret dyzet miljonë./- Po me se lëftojnë vallë?/- Me sëpata, me hanxharë,/ Dyfekët lidhur me gjalmë,/ Fishekët në xhep i mbajnë./ Ç’paskan pjellë ato nëna,/ Paskan pjell’ e bërë drëra,/ Luftojn’ e s’u tundet këmba./ Digjen si qiri në këmbë,/ E hanë barutin me dhëmbë!”[10] Është botuar sipas variantit të dëgjuar dhe regjistruar në Vlorë, 1958. Gjykojmë se mund ta ketë fillesën krijuese individuale qysh në zjarrin e LV, nisur nga fakti se i njihet autori, njëkohësisht marrës i këngës, që është atdhetari dhe këngëtari i njohur në Labëri, Nase Beni nga Vunoi i Himarës Këtë njësi folklorike, të cilës i janë shtuar dy vargjet e fundit, e gjejmë të botuar edhe në dy libra bazikë pararendës për epikën historike të folklorit shqiptar kushtuar LV dhe, pikërisht në librin “Këngë popullore historike[11] dhe në librin “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918 – 1920[12]. Memorja sociale e mban mend si një ndër këngët më të vjetra të kënduara; ndërkohë, mendojmë se mund të jetë dhe ndër më të përhapurat e ciklit të EHLV, me variante të ndryshme; ndërsa arkivat e kanë të regjistruar qysh në vitin 1927, në Delvinë, të paktën, me sa kemi dijeni, nga të dhënat e mundshme të disponueshme[13] dhe në variante të tjera, sipas hartës folklorike, ku është regjistruar kjo këngë, në vijë kronologjike, në hapësira të tilla të kufizuara si: Brezhan – Këlcyrë, Kuç e Progonat – Kurvelesh, Leskaj – Përmet, Kolonjë, Zhulat e Lazarat – Gjirokastër, Ninat e Shënvasi – Sarandë, në Fier, në Tiranë, si dhe në qytetin dhe krahinën e Vlorës me një gjeografi folklorike më të gjerë.

Botimi i fundit i nivelit akademik me këngë të EH përmban gjithsej 500 njësi folklorike, nga të cilat 159 këngë i kushtohen ngjarjeve, që u zhvilluan dhe personazheve që vepruan brenda dy, tre muajve të stinës së verës së vitit 1920. Nga cikli i EHLV, vërejmë se, në tetë njësi folklorike këngëtari dhe luftëtari popullor i drejtohet Europës apo e përmend atë. Si i drejtohet  Europës? Përse e përmend kontinentin e vjetër? Nuk po merremi me këngën “Ra një yll në mes të detit,/  Isharet për Shqipërinë:/ Të tëra krajlit’ u ngrinë,/ Veç Frëngu me Italinë…” se është këngë për periudhën pararendëse të LV, por po ndalojmë pak tek varianti i botuar në “EH, 3”: “Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o!/ Skel’ e parë në Evropë/ Moj Vlor – o[14] etj. Krijuesi popullor dhe interpretuesi i saj, si përfaqësues i artit poetik të kënduar të banorëve të këtij vendi, që i thonë Vlorë e Shqipëri, pa tjetër që e ndjen veten europian, përderisa përmend përkatësinë territoriale të tijën, në një përmasë më të gjerë, siç është Europa, që vjen, fillimisht nga një individ, i cili bëhet përfaqësues i  një komuniteti, që  edhe vetëquhet europian, se ashtu, si duke i pëlqen, se ashtu, si duket, ndihet normalisht a më mirë. Nuk ka dyshim që Vlora as ka qenë dhe as mund të jetë skela e parë e kontinentit europian, por është e drejta e folklorit të çelë shtigje që të vërshojë në këngë “parimi i zbukurimit, simbolizimi nga pozitat e bashkësisë” [15]. Gjithashtu, është mision i folklorit të frymëzojë njerëzit, në rastin konkret, trupat kombëtare vullnetare të Njëzetës, sepse kënga epike ka karakter mobilizues, për të ngritur moralin e luftëtarëve në luftë. Po e konkretizojmë me një variant me pesë vargje, me tetërrokshin tradicional, me rimë të përputhur AA…, të regjistruar në Progonat, 1952 nga folkoristi i njohur Qemal Haxhihasani: “O ju, shok’ o shokëni,/ Të na rrojë bashkimi!/ Lëftojmë me Itali,/ Me një goxha mretëri/ Dhe Evropa bën çudi!”[16]. Apo më tej: “Sa e bukur qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!/ Bytym mitrolos e topa! – Kush u hoth në Kot’ i pari?/ – Shaban Dorac kapetani,/ seç vate te xhenerali” [17]. Edhe kjo këngë ka pesë vargje, e cila është dhe në dy botimet e mëparshme, të vitit 1956[18] dhe të vitit 1970[19] dhe është mbledhur në Nivicë të Kurveleshit nga i paharruari Q. Haxhihasani. Në një variant që kemi regjistruar në Brataj më 5 qershor 2012 një grup moshatarësh me plakun 84 vjeçar Haki Ahmet Kamaj këndonin: “Obobo, se ç’qënkej Kota/ Më e bukur se Evropa!… Në fakt, Kota është një qendër komune, që, maksimumi, mund të quhet qytezë rurale, pa ndonjë gjë tër re, të veçantë. Por, kënga ka të drejtat e saj specifike, të veçanta. Në mënyrë intuitive krijuesit popullorë repektojnë  disa “ ligje” të pashkruara, – thekson studiuesi A. Xhagolli, – që realisht janë të pranishme dhe përcaktojnë rrjedhat krijuese dhe qarkulluese të folklorit.”[20] Dhe në rastin konkret kemi vërejtur karakterin sinkretik në atë grup të kufizuar pleqsh që këndonin në Brataj të krahinës etnografike të Lumit të Vlorës, në Labërinë e Brendshme. Në tekstin poetik shquan prirja ndaj të bukurës, sublimes, lidhja e të bukurës me të dobishmen, dinamizmi estetik dhe parimi i zbukurimit por në këtë rast, hiberbolizimi rrok përmasa pacak; s’ qenka gjë europa përpara Kotës! Kjo këngë labërisht na ngjan sikur ka zbërthyer gjoksin e këngëve të kreshnikëve e ulen mbi një gjethez trëndeline në malet e Labërisë të krenarohet me bëmat e shqiptarëve në luftën e tyre të drejtë për liri. Për mendimin tonë, është trimëria dhe atdhedashuria e luftëtarëve të lirisë, që bënë dhe sakrificën më sublime, falën gjakun dhe dhanë jetën për atdhe, ajo që e bën Kotën, Vlorën, Shqipërinë, në kontekstin shpirtëror, të rrethanave dhe të kohës, më të bukur se Europa. Emri që përmendet, në këngën që paracituam, është luftëtar nga Nivica, që motivon krijuesin që i këndon heroit të tij, bashkëfshatarit, që njeh më shumë, e vlerëson për aktin trimëror dhe e nderon me këngë. Edhe pse “këngët epike, duke patur si mision kryesor pasqyrimin emocional të ngjarjev të ndodhura realisht, – vë në dukje studiuesja M. Dibra, – kanë përmbajtje të angazhuar historike.”[21] Siç kemi vërejtur nga studimi i botimeve folklorike dhe verifikimi në terren e vështrimi krahasimor, në ato hapësira folklorike, ku kemi bërë ekspedita vetiake dhe në grup, shumë komunitete të kufizuara ua japin nderin e sulmit të parë luftëtarëve  të tyre, sepse ky qe sulm sa i guximshëm, aq dhe ngadhënjimtar. (Kota ish në nga bazat më të fortifikuara të ushtrisë italiane. Në Kotë, më 5 qershor 1920 forcat çlirimtare sulmuan rrufeshëm, fuqishëm dhe të mirëorganizuar. Shtinë në dorë shumë armë e municione, me të cilat pajisën vullnetarët e paarmatosur. E thotë dhe kënga atë që i intereson: “Në nuk kini armë, gjëni!/ Ja rrëmbeni atij qëni!”. Një këngë tjetër na vjen me një tjetër profil, ku spikat kontrasti i prerë klasik për ata “që shitën vatan edhe gra” për të mos iu cenuar interesat apo për kolltuqe: “Në Evrop’ u deklarua,/ Vlora e nderuar mbet’,/ Dolli vetë Xhenerali:/ – Nga kanë ardh’ ky milet/ Amani, o shqiptarë,/ Do futemi vetë në det,/ Ç’na duhet Vlor’ e Sazani,/ Kur shqiptari nuk t’i jep./ Agallarët kapuçbardhë/ Nashti u njohëm vërtet,/ S’u qastë nga istikami,/ Frikë pat’ apo ç’u gjet?”[22]. Mendojmë që, në këtë rast Europa shikohet si balli i kuvendimeve e gjykimeve të të drejtave të kombeve. Ndërkohë vërejmë se trajtimi historik nuk ecën në krahë me faktin historik kur thotë se pushtuesi po bëhet pishman për Vlorën e Sazanin, kur nuk ia dhënka shqiptari. E vërteta historike flet qartë për synimet grabitqare të çizmes kolonizatore të Romës ndaj Shqipërisë hallemadhe në vend të vet. Kënga bën kritikë për atë pjesë parisë vendore, që mbajti qëndrim negativ apo mospërfillës ndaj çëshjes kombëtare, që po kalonte në majë të briskut. Ironizon siç di populli në fund të këngës me pyetje retorike, duke na dhënë dhe një element etnologjik veshjeje të kohës. Kemi një tjetër këngë, që mund të jetë variant i këngës së sapo trajtuam, sepse burimin, si e para, dhe kjo e ka në Brataj: “Do ja marrim dhe një herë,/ Për ahenaj më Njëzet’/ Në Evrop’ u bë ilami [ngjau, ndodhi, shën. Ynë - AH)/  Vlora e nderuar mbet...[23]” etj. Duket që kënga është kënduar kohë më vonë nga ngjarja e LV. Katër vargje vijnë nga Korça dhe i bëjnë jehonë LV: “Shqipëria një pëllëmbë,/ Ngriti Europën në këmbë./ Shqipëria male, gropa,/ Italin’ e bëri copa!”[24] Harta folklorike na kujton plotësimin e atlasit historik të pjesëmarrjes në LV nga trevat e tjera të Shqipërisë, siç është dhe krahina e Korçës. Një tjetër këngë na vjen nga Dukati: “O Sazan, o vënd i ndjerë/ O Sazan [ ky gjysmëvarg përdoret si refren pas çdo vargu, shën. ynë – AH]/ Në Evropë tej e tej,/ Bëna dritë të ndritosh dhenë/ Baba Tomorrë përtej,/ Lajmëro Ismail Bejnë,/ Se djemtë e mir’ t’u ngrenë,/ Se djemtë të zotë janë/  E çliruanë vatanë.”[25] Vërejmë një ngarkesë të dendur ideoartistike  dhënë me trajtë lakonike, ku evidentohet shkurtësia e njësive folkorike. Mendojmë që EHLV, kënga epike, në tërësi folklori shqiptar, sjell dobi kombëtare po të futet në programet mësimore të shkollave të të tre niveleve në Shqipëri, se njohin një pjesë të mirë të shpirtit popullor në kontekstualitet, se ky zhanër folklorik ndikon fuqishëm për edukimin atdhetar, estetik dhe shpirtëror të brezave që ngrihen. Këngët e EHLV, dhe ato për Europën e kanë kryer funksionin dhe i përkasin arkivit, se bëjnë jetë pasive, nuk qarkullojnë, nuk aplikohen, nuk zhvillohen, nuk kanë përhapje. EHLV është thesar shpirtëror, që del nga gjiri i folklorit  ne duhet ta ruajmë, siç meriton të ruhet thesari.

Bibliografia

 

[1] “ARKIVI i Institutit të Kulturës Popullore”,  Ministria e Arsimit, Delvinë, 192 7.

2 ÇAMI, Muin, “Shqipëria në rrjedhat e historisë (1912 – 1924)”, Onufri, Tiranë, 2011.

3 DIBRA, Miaser, “Metafora në këngët popullore shqiptare”, bot. i ASHSH, IKP, IF, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2007.

4 “EPIKA Historike, 3”, bot. i ASH RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, 8 Nëntori, Tiranë, [1989]1990.

5 “FJALOR enciklopedik shqiptar, 3”, bot. i Akademisë së Shkencave  të Republikës së Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008.

6 “KËNGË popullore historike”, bot. i Institutit të Shkencave, Tiranë, 1956.

7 “KUJTIME dhe këngë popullore 1918 – 1920”, bot. i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folkorit, Tiranë, 1970, nr. 10, f. 236, nr. 24, f. 250, nr. 32, f.  258, nr. 37.

8 SHIH, Métais, Serge, “Historia e shqiptarëve ngailirët deri te Pavarësia e Kosovës”, 55,Tiranë, 2006; Costas, Nicolas J. “Shqipëria: enigmë europiane, monografi për Evropën Juglindore = Albania: A European enigma, East European monographs”, OMSCA – 1, Tiranë, 2002; Guy, Nicola C., “Lindja e Shqipërisë =The Birth of Albania”, Pegi, Tiranë, tetor 2012.

9 “TË DREJTAT e Njeriut”, rev., Tiranë, viti III, nr.2, qershor 1997.

10 XHAGOLLI, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, bot. i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Triptik, Vlorë, 2007.

 

 

ANTROPOLOGJISË KULTURORE DHE I STUDIMEVE TË ARTIT, DEPARTAMENTI I FOLKLORIT, Tiranë, ALBANIA.

 

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”

Vlorë, ALBANIA

albert_abazi_tr@yahoo.com

bertbiblioteka@gmail.com

 



[1]FJALOR enciklopedik shqiptar, 3”, bot. i Akademisë së Shkencave  të Republikës së Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008, f. 2845.

[2]TË DREJTAT e Njeriut”, rev., Tiranë, viti III, nr.2, qershor 1997, f. 42.

[3]KUJTIME dhe këngë popullore 1918 – 1920”, bot. i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folkorit, Tiranë, 1970, nr. 10, f. 236, nr. 24, f. 250, nr. 32, f.  258, nr. 37, f. 263.

[4]KËNGË popullore historike”, bot. i Institutit të Shkencave, Tiranë, 1956, nr. 278, f. 297 – 298, nr. 283, f. 300, nr. 295, f. 305.

[5] ÇAMI, Muin, “Shqipëria në rrjedhat e historisë (1912 – 1924)”, Onufri, Tiranë, 2011.

 

[6]ÇAMI, Muin, vep. e cit., f. 378.

[7] SHIH, Métais, Serge, “Historia e shqiptarëve ngailirët deri te Pavarësia e Kosovës”, 55,Tiranë, 2006, f. 283 – 287.; Costas, Nicolas J. “Shqipëria: enigmë europiane, monografi për Evropën Juglindore = Albania: A European enigma, East European monographs”, OMSCA – 1, Tiranë, 2002, f. 40; Guy, Nicola C., “Lindja e Shqipërisë =The Birth of Albania”, Pegi, Tiranë, tetor 2012, f. 253 – 267.;

[8] ÇAMI, Muin, vep. e cit., f. 383.

 

 

[9]EPIKA Historike, 3”, bot. i ASH RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, 8 Nëntori, Tiranë, [1989]1990.

[10]EPIKA historike, 3”, vep. e cit., nr. 334, f. 450.

[11]KËNGË popullore historike”, bot. i Institutit të Shkencave, Tiranë, 1956, nr. 295, f. 305.

[12]KUJTIME dhe këngë popullore 1918 – 1920”,  vep. e cit., nr. 37, f. 263.

[13]AIKP” Ministria e Arsimit, Delvinë, 192 7, Dos. 12, f. 229.

 

[14] EH, 3, vep e cit., nr. 192, f. 298.

[15] XHAGOLLI, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, bot. i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Triptik, Vlorë, 2007, f. 17.

[16] EH, 3, vep e cit., nr. 199, f.305.

[17] PO aty, nr. 221, f. 331.

[18] “KËNGË popullore historike”, vep. e cit., nr.b283, f. 300.

[19]“KUJTIME dhe këngë popullore 1918 – 1920”,  vep. e cit., nr. 32, f. 258.

[20] XHAGOLLI, Agron, vep. e cit., f. 17.

[21] DIBRA, Miaser, “Metafora në këngët popullore shqiptare”, bot. i ASHSH, IKP, IF, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2007, f. 266.

[22] EH, 3, vep e cit., nr. 248,  f. 359.

[23] PO aty, nr. 249, f. 360.

[24] PO aty, nr. 295, f. 410.

 *Kumtesë e mbajtur  më 14 .06. 2013, në simpoziumin shkencor “FOLKLORISTIKA SHQIPTARE, ARRITJE DHE PROBLEME”, organizuar nga QENDRA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE, INSTITUTI I ANTROPOLOGJISË KULTURORE DHE I STUDIMEVE TË ARTIT, DEPARTAMENTI I FOLKLORIT, Tiranë, ALBANIA.

*Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”

Vlorë


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>