Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

DASHURIA PËR VLORËN DHE ATDHEUN

$
0
0

Në  94-vjetorin e lindjes së Prof. Shaban Demiraj, Akademik/ Nga Enver Memishaj/

 Profesor Shaban Demiraj lindi në Vlorë, më 11 janar 1920, në një familje atdhetare dhe fetare, prandaj fillimisht ai nisi një shkollë fetare, por u largua andej për t’u dhënë më pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe.Në vitin 1948 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Ishte nxënës i Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit dhe më pas i Eqrem Çabejt, të cilët e rekomanduan dhe ai u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik.Në vitin 1957 u emërua pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të sapo krijuar. Titullin “Profesor”, e meritoi në vitin1972. Me krijimin e Akademisë së Shkencave, prof. Shaban Demiraj u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj dhe në vitet e demokracisë, 1992 kryetar i Akademisë.

Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer si përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Në vitin 1977, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”.Ne vitin 1979 u nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, dhe në vitin 1989 me “Çmimin e Republikës” të klasit I.

Ai ka një korpus të madh të veprës së tij studimore e pedagogjike të cilat e prezantojnë si një personalitet të shquar të albanistikës, brenda dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë.

Objekti specifik i studimeve të tij është morfologjia e gjuhës shqipe, por ai është zgjeruar në gramatikën historike  dhe më pas të fonetikës historike. Njohja e shumë gjuhëve të huaja klasike e bashkëkohore e bëjnë atë një autoritet të shquar të kulturës shqiptare të të gjithë kohëve. Vepra e tij është përfshirë në albanologjinë botërore.

Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953) dhe më pas vazhdoi pa u ndalur me vepra të tjera:

 “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), 

“Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), 

“Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), 

“Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980),

Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), 

“Gjuha shqipe dhe historia e saj”(1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989).

Ne vitin 1990 botoi  monografinë, kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, prof.dr. Eqrem Çabej-Akademik.

Në vitin 1994 botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike” 

dhe më 1996 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”.

Me interes mjaft të  madh është vepra kushtuar çështjes së prejardhjes së shqiptarëve, duke e vështruar këtë aspekt kryesisht në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Rreth kësaj çështjeje madhore, ai botoi librin e vlerësuar: “Prejardhja e shqiptarëve, nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1999).

Studime të tij me interes të veçantë janë edhe ato për filologjinë e arbëreshëve.  

Disa nga veprat e mësipërme janë botuar në vende të ndryshme të Evropës.

Ai ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa Kongrese e Konferenca, kombëtare e ndërkombëtare, për gjuhën e kulturën shqiptare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, në revista të vendit e të huaja.

*     *     *

Me rastin e 94 vjetorit të lindjes unë po publikoj një anë tjetër të panjohur të Prof. Shaban Demiraj, ndofta edhe vetë Prof. Shabani ka harruar se dikur në rininë e tij dhe pikërisht në moshën 17 vjeçare shkruante poezi, të cilat po i botoj më poshtë. Në poezinë e tij që nuk dimë që Profesori jonë ta ketë vazhduar vihet re qartë talenti, ndjenja e dashurisë së madhe për atdheun dhe veçanërisht per Vlorën e tij. Po i botojmë poezitë pa bërë asnjë ndryshim, që t`i kujtojmë se si shkruante profesori në rininë e vet dhe po deshi t`i korigjojë ai vetë e t`i sjellë në gjuhën e sotme letrare.

  25 VJETORIT NE VLORË

 Lulëzo dhe krenou moj Vlora kreshnike,

Me bujë festo vjetorin e Lirisë,

Dhe me përpjekjet e tua Patriotike,

Me radhë tregoua bijëve t`Arbërisë.

            Kur zgjedhën barbare Shqipëria vajtonte,

            Dhe gjith Kombi mbarë përpiqesh për shpëtim,

            N` qiellin t`ënt Flamuri u ngrit të valonte,

            Prej Burrave, q`i dhanë ksaj toke lirin.

Vatër lirimtare të tokës Arbërore,

Të njeh i gjith kombi me Mbretin në Krye,

N`ty këndoi së parit zhgaba dy krenore,

Kur zgjedh` e barbarit nga kish ardh u kthye.

            Njëzet e pes mote mbushi sot lirija,

            Qysh se ti e shpalle për herën e parë,

            Prandaj po gëzon e gjith djalëria,

            E udhëhequr vet nga Prisi Shpëtimtarë.

Këndoni, vlonjat, rreth Varrit Historik,

Kurorën i thurni çliruesit Kombëtar,

I tregoni Plakut tonin melodik,

Lumturinë, që ndien sot populli shqiptar.

            I thoni që shkuan njëzet e pes vjetë,

            Që dor` e Tij Flamurin lartësoi,

            Dhe shqiptarët sot falnderjen e vërtetë,

            U bëjn` atdhetarëve, që kjo tokë ndriçoi.

Festo – e, pra, Vlorë njëzet e pes vjetorin,

Mblidhuni ju djem të gjith pa u ndarë,

Me gazmend kremtoni njëzet e tet Nëntorin,

Dhe një zërit thrrisni: “Rroft ZOGU i PARË”

                                        Botuar në  gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1937, f. 4

 

                28 NËNTORIT

 

Flamur` i Kastriotit me zhgabë dy krenore,

Valon sot an` e mbanë në tokën arbërore,

Dhe pal` e tij e bukur ngjyruar kuq e zi,

Mbulon me valëvitje të bukurën Shqipëri,

Ku pes qint e ca vjetë sundoi zgjedha barbare,

Dhe dy krenor` i ynë s`u pa të valoj fare,

Por sot ja ku valon ashtu siç i ka hije!

Dhe djalërin e mbush me çaste lumturije,

Me çaste lumturije mbush djalërin o Vlorë!

Që plot hare feston njëzet e tet Nëntorë.

*    *    *

“O nipa t`Kastriotit, o bijt` e Arbërisë!

Kremtoni gjith së bashku vjetorin e Lirisë,

Njëzet e tet Nëntorin plot gas ju e festoni,

Mbasi lirin e shtrenjtë kudo po e gëzoni.

Të gjith për rreth Flamurit ju lidhuni me besë,

Për nderin e Atdheut kushdo me gas të vdesë,

Kushdo me gas të vdes për nderin e Atdheut,

Siç bën` burrat e motit në koh` të Skënderbeut,

Dhe, kur të jeni lidhur me besën Shqiptare,

Prej sulmit të armikut mos u frikoni fare,

Pse Bes` e Arbreshëve nuk e lejon tradhëtinë,

Por burrërisht mpron Nderin, Atdheun dhe Lirinë”.

*    *    *

Dhe, ndërsa Kryezeza lirinë po kremton,

An`mb`anë Shqipërisë një zë se ç`po gjimin:

Është nderi, që gjith Kombi dëshmorëvet u kushton,

Është Besa rreth Flamurit në qiell që po tingëllon,

Ësht Bes` e djalërisë, që jep për rreth Flamurit,

Se do të mprojë Atdheun e Lekës dhe të Burrit.

*     *     *

Pra, sa të jetë bota Flamur` i yn valoftë

Dhe Shqipëri e dashur për jet`e lirë rroftë!   

                                   Botuar në gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1938, f. 4

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>