Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Simone Weil – filozofja përbri të mëdhenjve

$
0
0

Cili është filozofi më i madh i viteve ‘900? Është një pyetje që mund t’ia bëjë vetes çdo filozof në botë, por duke u kufizuar brenda kufijve tanë natyrorë, do të thosha në Europë. Nuk ka dyshim se parapëlqimet personale, subjektivizmi, teoritë ku e gjejnë vetejmë veten, do të na japin një listë tepër të nderuar emrash që vështirë se mund të konkludojmë dhe ta shpallim se cili është filozofi më i madh i shekullit të kaluar. Duke e parë listën e gjatë të filozofëve, do të përmendja disa syresh: Husserl, Dennett, Bergson, Heidegger, Jaspers, Sartre, Camus, Gadamer, Croce, Gentile, Popper, Florenskij, Nietzsche dhe ajo amerikane Ayn Rand. Por shumë studiues dhe filozofë të tjerë mendojnë se filozofja më e madhe e shekullit të kaluar është një grua franceze me emrin Simone Weil. Sigurisht është një tjetër emër në listën e gjatë të emrave, por nëse hyn dhe shfleton në faqet e shumta të internetit, do ta kuptosh se do të gjesh tek ajo mishërimin e filozofes, mistikes dhe shkrimtares, aktivistes partizane. Këtu dëshiroj ta tërheq vëmendjne e lexuesit shqiptar meqë 5 maji nuk është shumë larg. Në Ditën kombëtare të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, ndodhi ajo që ndodh çdo vit, bile edhe më e theksuar dhe e artikuluar : u ngatërruan ngjarjet dhe heronjtë, drejtuesit dhe tradhëtarët e vërtetë. Gabime të tilla prej studiuesish dhe militantësh të vegjël dhe kalamanë, në të gjithë kuptimin e fjalës, u panë në ekrane dhe gazeta të qanin dhe ta ngrinin zërin për ngjarje historike ku nuk kanë qënë kurrë pjesëmarrës, për më tepër duke folur në emër të gjoja përdhosjes që i bëhet të gjithë popullit. Do të desha ta bëja një pyetje për të gjithë ata që nuk kanë gjuhë tjetër veç mohimit të gjithçkaje që mban vulën e luftës: po filozofja franceze a bëri gabim që u rreshtua me rezistencën? Asnjë njeri që ka dy barrë mend nuk do të guxonte kurrë të deklaronte se ishte një gabim fatal i saj që mori pjesë në luftë dhe ta shpallë armike apo të gjejë ndonjë fjalë banale që ta etiketojë. Ta lëmë problemin tonë dhe të shkojmë tek filozofja Weil. Sipas Alfonso Berardinellit, një zë në korin e madh të zërave, është Simone Weil, sepse emri i saj përmendet, pasi bashkon me radikalizëm politikën, fenë, etikëm dhe gnosologjinë. Ajo nuk lexohet, ështrë shumë kërkuese nga lexuesit, i shqetëson intelektualët dhe kategorinë e tyre mbizotëruese të universitarëve. Weili nuk ka prodhuar traktate sistematike, duke përdorur fonde kërkimesh dhe për këtë nga filozofët profesionistë, të ambjentuar ta ripërtypin çdo autor, shpesh pa arsye të mjaftueshme. Konsiderohet gabim si një mendimtare jo sitematike, teorikisht e papërshtatshme, sepse fragmentare. Aspak e vërtetë. Weili nuk ndërtoi sisteme, ndërtesa konceptuale ku të futej. Prodhimtaria e saj është e rastësishme, thellësisht e motivuar nga ngjarjet e jetës së saj dhe nga politikanët e viteve, kur jetoi (midis dy luftrave). Artikujt dhe esetë e saj, ditaret dhe aforizmat formojnë një mendim të jashtëzakonshëm koherent dhe me kohezion, original në qartësinë karteziane dhe në një ndershmëri heroike ekzistenciale.

Filozofi francez Gabriel Marcel lidhur me jetën dhe veprën e Simone Weilit pohonte pamundësinë që ta futje në një formulë çfarëdo, ndërsa shkrimtari Albert Camus, duke nënvizuar rrugëtimin e vetëm, e konsideronte shpirti i madh i vetëm i kohës sonë. Në një hark kohor të shkurtër (1909-1943) filozofja jetoi përvoja shumë intensive intelektuale dhe njerëzore, duke u apasionuar për problemet politike dhe shoqërore, duke përdorur me rreptësi dhe qartësi të madhe zgjuarsinë e saj të madhe, duke u future në brendësinë e vet në nivele kaq të thella saqë u ankorua në rezultate mistike. Lindi në Paris nga një familje borgjeze në gjendej të mirë, me origjinë hebrehe, por absolutisht agnostike, mori nga nëna një edukatë intelektualisht shumë të gjallë dhe stimuluese, por në të njëjtën kohë tepër serioze dhe rigoroze. Jetoi me ndjenja të forta admirimi dhe konkurimi ndaj vëllait të vet Andre’ Weil që shfaqi paraprakisht aftësi të jashtëzakonshme në fushën e matematikës dhe më vonë u bë njëri prej gjenive më të mëdhenj të ‘900. E motra e përshkruan kështu momentin më kritik të raporteve, duke shfaqur tensionin e brendshëm që do ta shoqëronte gjithmonë: Nuk më vinte keq për sukseset e jashtme, por që nuk shpresoja në asnjë pranim në atë mbretëri transhendente ku hyjnë vetëm njerëzit e mëdhenj dhe ku banon e vërteta. Preferoja të vdisja sesa të jetoja pa të. Pas muajsh errësire të brendshme papritur e kam patur gjithmonë sigurinë se çdo qënie njerëzore, edhe nëse aftësitë e natyrshme janë hiç, depërton në këtë mbretëri të së vërtetës, nëse bën vazhdimisht një sforco që ta kapë.
Enigma e dhuimbjes, ankthi i të varfërve dhe fitimtarëve e preku thellë, aq san ë moshën 10 vjeçare pohon se ishte bolshevike dhe jetonte me intensitet të madh turpin për kushtet e rënda të paqes të imponuara nga Franca në Traktatin e Versajës. Nga viti 1925-1928 studjoi me filozofin Emil Kartier gjatë një kursi përgatitor në shkollën normale. Personaliteti i Kartierit, individualizmi i tij i lirë, dashuria për demokracinë, simpatitë paqësore, nënvizimet e rëndësisë së vullnetit dhe madhështisë morale e bëjnë Ëeiltin përvete dhe konfirmojnë në prirjen e kërkimeve të pafund, të impenjimit koherent dhe të madh, të antikonformizmit absolut dhe shpesh provokues.
Në vitin 1931 fitoi një vend në katedrën e filozofisë në Liceun e femrave të Le Puy, në Loira. Dha mësim deri në vitin 1938, më pas duke u transferuar në vende të ndryshme, e rrethuar nga dyshime, mosbesim dhe admirim. Në ato vite iu përkushtua një veprimtarie intensive gazetarie dhe sindakale dhe njohu figura të fuqishme të sindakalizmit revolucionar. Në fund të vitit 1931 dhe fillim të 1932 drejtoi protestën e të papunëve gurëthyes, duke arritur një sukses në një situatë shumë të vështirë dhe të paqartë.
Ndërkohë vazhdon të studjojë dhe të shkruajë, duke u impenjuar në analizën racionale të faktorëve të shfrytëzimit. Gjatë vizitave në Gjermani 1932 dhe 1933 u bind për pafuqinë e partive punëtore që ta shfrytëzojnë atë që I duket një situatë objektivisht revolucionare. Partia komuniste gjermane që nuk kërkonte asnjë aleancë me socialdemokracinë në një periudhë të asaj krize të rëndë, i duket shumë e kushtëzuar nga Internacionalja e III që shpreh interest e shtetit sovjetik : e gjitha kjo nuk mundet veç t’i hapë dyert një disfate të klasës punëtore gjermane dhe përhapjes së fashizmit jo vetëm në Gjermani, porn ë të gjithë Europën: Jam e sigurtë se i gjithë gjaku që do të derdhet, do të derdhet kot dhe se u mundën që në nisje.
Simone Weil denoncon edhe procesin e burokratizimit të B.S dhe mbështetjen objektive që Rusia u dha forcave reaksionare në Gjermani. Këto pozicione provokojnë përballjen dhe prishjen me Trockin që e akuzon Weiltin për paragjykime të borgjezit të voglël të reaksionarëve më të mëdhenj. Në esënë Reflektime mbi shkaqet e lirisë dhe shtypjes shoqërore ekspozonj një analizë të artikuluar kritike të poziocioneve të Marksit dhe të regjimit që lindi nga revolucioni i tetorit. Ajo e kritikon Marksin për besimin tek progresi dhe për hegelizmin mbrapsht që e çon t’I japë materjes, aspiratat për më mirë, për të mirën që është karakteristikë e shpirtit. Në sfond duket referimi tek Platoni, autori që ajo e admiron dhe që i duket se shpreh dialektikën e vërtetë.
Pasi kërkoi një vit lejë për studime personale, filloi të punonte në fabrikë: studimi vazhdon, më këmbëngulës dhe kërkues, në sajë edhe të kontributit të përvojës së jetuar. Detyrimi brutal dhe i përditshëm, obligimi i shpejtësisë dhe bindjes ndaj urdhërave, dhimbja e afsheve të nxehtësisë që vijnë nga furra në fytyrë dhe krahë ia bëjnë të pamundur mendimin, e bën të ndihet skllave pa dinjitet, në një butësi prej kafshe, si trup e dorëzuar. Për këtë ajo kryen përvojë të drejtpërdrejtë, duke pësuar shkatërrimin e energjive të saj fizike dhe psikologjike. Në verën e vitit 1935 shkon për një periudhë pushimi në Portugali dhe e përshkruan kështu gjendjen e saj shpirtërore : Pas vitit të punës në fabrikë, para se të rifilloja mësimdhënien, prindërit e mi më çuan në Portugali, ku i braktisa që të shkoja vetë në një fshat të vogël. Ai kontakt me fatin e mbrapshtë e kishte vrarë rininë time. Deri atëherë nuk kisha patur kurrë përvojë për fatin e mbrapshtë, veç me timen, dhe si imja, më dukej pak e rëndësishme, dhe nga ana tjetër ishte vetëm një fatin e mbrapshtë përgjysëm, duke qënë biologjike dhe jo shoqërore. E dija mirë se kishte shumë fatin e mbrapshtë në botë, isha e fiksuar, por nuk e kisha konstatuar kurrë përmes një kontakti të zgjatur.
Ndërsa isha në fabrikë, konfuze në sytë e të gjithëve dhe të mijve me masën anonime, fati i mbrapshtë i të tjerëve depërtoi në trupin dhe shpirtin tim. Asgjë nuk na ndante, sepse realisht e kisha harruar të shkuarën time dhe nga momenti që e kisha të vështirë ta imagjinoja mundësinë e mbijetesës me ato lodhje, nuk shquaja dot para meje asnjë të ardhme. Atë që pësova në fabrikë ndikoi në mënyrë kaq të ashpër saqë ende sot, kur një qënie njerëzore, kushdo qoftë dhe në çdo rrethanë, më flet me brutalitet, nuk mund të mos e kem përshtypjen që bëhet fjalë për gabim, për fat të keq të destinuar ndoshta për qartësim. Në fabrikë mora përgjithmonë damkën e skllavërisë, si ajo që romakët e damkosnin me hekur të nxehtë në ballin e skllevërve të tyre më të përbuzur. Qysh atëherë e konsideroj veten gjithmonë skllave. Me këto ndjenja shkon ta shohë festën e shentit të qytetit: Me atë gjendje shpirtërore dhe në një gjendje mizerje fizike mbërrita e vetme, në një natë me hënë të plotë, gjatë festës së shenjtit, në atë fshat të vogël portugez, edhe ai për fat të keq shumë mizerje. Festa zhvillohej në breg të detit. Gratë e peshkatarëve bënin në rresht xhiron rreth varkave, duke mbajtur qirinj dhe këndonin këngë shumë të vjetra, me një trishtim sfilitës. Asgjë nuk mund ta japë idenë. Nuk kam dëgjuar kurrë asgjë më prekëse..Atje pata papritur sigurinë se kristianizmi është par exelance feja e skllevërve, që veç skllevër mund të aderojnë dhe unë bashkë me ta. Fillon kështu një rrugëtim afrimi me besimin kristian, krejt original, që sigurisht nuk do ta pengojë Simonën të vazhdojë ta jetojë me pjesëmarrje të jashtëzakonshme historinë e kohës së vet.
Mes veprave mund të përmendim: Reflektime mbi shkaqet e lirisë dhe shtypjes shoqërore, 1934, shkruar gjatë përvojës në fabrikë; Iliada ose problemi i forcës, 1940-’41, shkruar gjatë luftës.
Nëse marrim dhe analizojmë shkrutimisht dy esetë më të famshme të saj, ku dhe shprehet i gjithë mendimi dhe filozofia e saj, do të shohim se Weili merret me konceptin e pushtetit dhe shoqërisë dhe pozicionet e tyre diametralisht të kundërta në jetë. Pushteti sillet si tiran i vërtetë ndaj shoqërisë. Po t’i referohemi esesë së parë, Reflektime mbi shkaqet e lirisë dhe shtypjes shoqërore, Weil e konsideron pushtetin që ushtrohet nga autoritetet mbi individin si një derivat të së njëjtës forcë të pranishme në natyrë. Shoqëria është një ndryshim i nevojës që në natyrë i shtyp qëniet njerëzore dhe, sa më shumë një shoqëri teknikisht është e përparuar, aq më shumë individët shtypen nga një forcë e ngjashme me atë të kataklizmës natyrore. Por ajo nuk është gjithmonë kritike ndaj Marksit, pasi vlerëson tek ai intuitat që lidhen me dinamikat shoqërore që detyrimisht të çojnë në zhvillim pas një kontradikte që zgjidhet, por e kritikon se nuk i zhvilloi deri në fund analizat e formave të shtypjes. Edhe pse kritika ndaj marksizmit ka peshën e vet, ajo prefroi gjithmonë pozicionet e asaj doktrine, me shembullin e vet personal, duke u rreshtuar qëndrueshëm nga ana e shtypësve. Përvoja e saj si punëtore, ia forcoi më shumë bindjen lidhur me njeriun, shoqërinë dhe pushtetin, gjithmonë të pandarë në hapësirë dhe kohë.
Tek eseja e dytë, Iliada, ose poema e forcës, ajo dëshiron të theksojë dhe të evidentojë faktin se pushteti i forcës, duke i reduktuar njerëzit në sende, i ngurtëson në mënyrë të ndryshme, por në mënyrë të barabartë shpirtrat e atyre që e vuajnë dhe të atyre që e përdorin. Çfarëdo ushtrim i pushtetit është përpjekje për t’i përballuar mekanizmat e nevojës, përkundrazi t’i drejtojë sipas qëllimeve të veta, por kjo të çon në mënyrë të pashmangshme në marrëzi : iluzionet njerëzore nuk mund t’i kundërvihen nevojës që vepron përmes natyrës. Idolatria e pushtetit që lindi me Perandorinë romake e arriti kulmin e shprehjes tek totalitarizmi i Hitlerit, duke kaluar nga statalizmi i Reshëljesë. Synimi kryesor edhe në kohë demokracie është pushteti, prandaj edhe partitë politike nuk bëjnë gjë tjetër, veçse farkëtojnë dhe formojnë një lloj imazhi mbi baza idolatrie, duke vendosur në plan të parë vetveten, por më pas të gjitha shtigjet të çijnë tek synimi kryesor që është i qartë : të sillen si tiranë pasi marrin pushtetin ndaj të gjithë faktorëve, partive kundërshtare në plan të parë dhe në këtë kuptim ndaj vetë shoqërisë, duke shkuar më larg, në një formë lufte të ftohtë të shpallur, por të maskuar me fraza tolerance e bashkëjetese, o me ne o kundër nesh. Tek mendimet e saj që janë shumë aktuale, të paktën për anarshinë në dukje demokratike shqiptare, do të gjejmë fytyrën e vërtetë të pushtetit dhe atyre q ë e ushtrojnë atë. Tek Manifesti për eliminimin e partive poltike ajo është e mendimit se ky veprim do të shmangë totalitarizmin. Çdo demokraci e qeverisur nga partitë nuk mund t’i shpëtojë rrezikut që njëra syresh ta shkatërrojë atë. Partitë janë nga natyra e tyre kriptotirani që janë në konkurrencë që të dalin mbi të tjerat, duke pasqyruar ligjin e xhunglës. Si alternativë të vetme përcakton vullnetine përgjithshëm të Rusoit. Politika duhet të bëhet ashtu si dhe arti anonime dhe të transmetojë vëllazërim. Detyra e atyre që vihen në shërbim të vullnetit të përgjithshëm është të mbeten në një farë mënyre anonimë, gati të përzihen në çdo moment me njerëzit e zakonshëm.
Në vitin 1936 niset që të luftojë në Spanjë, në kolonën ndërkombëtare të anarkistit Durruti, ajo pacifiste që do ta analizojë me shumë finesë absurdin e forcës dhe luftës: një prej kontradiktave të veta të një temperamenti të apasionuar. Qëndroi pak ditë për shkak të një incidenti banal që e pengonte të ecte, por i shikon deri në fund tmerret e luftës civile dhe i shkruan Georges Bernanos: “Një humnerë i ndante njerëzit e armatosur nga popullsia e paarmatosur, një humnerë shumë e ngjashme me atë që i ndan të pasurit nga të varfërit…nisen vullnetarë me ide sacrifice dhe bie në një luftë mercenarësh me shumë mizori më tepër dhe me ndjenjën e respektit ndaj armikut të paktë.
Në vitet 1938-1939 thellohet përvoja e takimit me hyjninë. Me shumë saktësi Simone Weil shpjegon : “Në arsyetimet e mia për pazgjidhshmërinë e problemit të Zotit, nuk e kisha parashikuar këtë mundësi, të kontaktit real, si njeriu me njeriun, këtu në tokë, mes një qënieje njerëzore dhe Zotit. Kisha dëgjuar turbullt të flitej për gjëra të tilla, por nuk u kisha besuar kurrë. Kjo hyrje e shjegon bëfasinë e saj sa ndjen brenda vetes: Ndjeva pa qënë aspak e përgatitur – pasi nuk i kisha lexuar kurrë mistikët – një prani më personale, më të qartë, më reale se ajo e një qënieje njerëzore, e papranueshme ndaj ndjenjave dhe imagjinatës, analoge me dashurinë që duket përmes buzëqeshjes më të butë të një qënieje të dashur. Nga ai çast emri i Zotit dhe i Krishtit u përxjenë në mënyrë gjithnjë e më të parezistueshme në mendimet e mia. Simone i përkushtohet me një interest ë ri studimeve të klasikëve të Biblës,të feve orientale, të manikeizmit.
Ndërsa gjithmonë e më shumë kërcënuese afrohej lufta, shkroi një ese’ për Iliadën, ku reflekton për karakterin irreal të pjesës më të madhe të konflikteve në lindje që pikërisht për këtë janë në mënyrë paradoksale më të tërbuarat dhe të rrezikshme : prestigj dhe forcë, realitet vendimtar në shpërthimin e dhunës, shfaqen si idhuj që kërkojnë sakrifica njerëzore. Historia shfaqet në këtë optikë një delir absurd. Në të njëjtën kohë filozofja përpunon projektin e një grupi infermieresh të vijës së parë që do i dërgonin në front për qëllime humanitare si sfidë e hapur, jo e dhunëshme që t’ia heqë maskën e egërsisë së armikut ( gjenerali De Gol, udhëheqësi i rezistencës franceze, nuk e pranoi idenë, sepse ishte marrëzi). Kur gjermanët e pushtuan Parisin, Simone dhe familja shkojnë në fillim në Marsejë dhe më pas strehohen në Amerikë. Por ajo nuk arrin të qëndrojë dot larg nga vendi i konfliktit dhe i dhimbjes: deshte të merrte pjesë në Rezistencën franceze. Më në fund ia del, pas përpjekjeve të shumta, të mbërrijë në Londër që të punonte në shërbimin e brendshëm të lidhjes. Ndihet e zhgënjyer nga ky impenjim që i duket i papërshtatshëm ndaj dëshirave të saja. Vazhdon papushim t’i mbushë fletoret me reflektime dhe shënime. Bën pyetje për Pagëzimin që dëshiron shumë ta realizojë, por jo me kushtet e vendosura nga Kisha katolike të cilën e konsideron shumë të mbyllur në struktura konceptuale dhe organizative të ngurta, e paaftë të dialogojë, siç duhej të bënte, me të gjitha përvojat fetare kuështë sigurisht prania e Zotit. Ndërkohë hante shumë pak, duke dashur t’i ndante kushtet konkrete në të cilat jetonin popujt e pushtuar. Nuk i bëri rezistencë tuberkulozit që e përlante dhe kështu vdiq më 15 prill 1943, në anonimatin më të plotë.
Askush nuk e vuri re se shkrimet e krijuara gjatë një jete, vetëm në dukje anonime dhe dështake, do të kishin fituar në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm një njohje të jashtëzakonshme, aq sa konsiderohen sot me rëndësi të parë në kuadrin e filozofisë së ‘900-s.

Arjan Th. Kallço


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>