-Ceremonia u drejtua nga Patrarku Ekumenik Bartolomeu i Parë dhe krerë ortodoksë nga e gjithë bota-
Nga ILIR VATA/
TIRANË, 1 Qershor/-AKa nisur mëngjesin e së djelës në Tiranë, ceremonia për shënjtërimin e katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, një object kulti madhështor, i cili u ndërtua vitin e kaluar ndërsa sot zhvillohet ceremonia liturgjike dhe zyrtare.
Në këtë eveniment marrin pjesë krerë të kishave ortodokse të botës, si Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Parë, Patriarku i Jeruzalemit, Theofili i III, Patriarku i Rumanisë, Danieli, Kryepesokopi i Greqisë, Jeronimi, i Qipros, Krisostomi, Peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Nikon Liolini, Kryepeskopi i Varshavës, Sava, Patriarkut të Serbisë, Irinej dhe delegacionit të Kishës Ortodokse të Moskës.
Për mbarëvajtjen e ceremonisë së shenjtërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit”, policia ka bllokuar rrugët hyrëse për në katedrale.
Katedralja e re në Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, ka qenë dikur në Sheshin “Skënderbej”, pikërisht në vendin ku sot ndodhet Hotel Tirana International, por u shkatërrua nga regjimi komunist në vitin 1967.
Në ceremoninë e sotme, marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe drejtues politikë: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, si dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale, një ngjarje e rëndësishme për ortodoksinë, kryet nga Tërëshenjtëria e tij – Patriarku Ekumenik Bartolomeu i parë, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të tyre, Patriarku i Jerusalemit, i Serbisë, i Rumanisë, Kryepeshkopi i Qipros, i Athinës, Varshavës, si dhe kryepeshkopi Anastas.
Gjithashtu, bashkëmeshojnë edhe përfaqësuesit e Patriarkanave të Moskës, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë. Sipas Kishës Ortodokse Shqiptare, ngjarja e shenjtërimit të kishës përbën një bekim të veçantë, jo vetëm për ortodoksët e Shqipërisë, por për të gjithë vendin, dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e ortodoksisë në mbarë Botën.
Kompleksi i Katedrales së re të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, është ndërtuar në qendër të kryeqytetit, në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore (2001-2005) në kompensim të truallit të kishës së vjetër, katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua nga regjimi ateist më 1967.
Kompleksi i veprës përbëhet nga këto korpuse: Kisha katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore. Koncepti arkitekturor i Kishës katedrale mbështetet në ciklin, që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me Qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës. Kisha mbulohet me kupolë, me dia-metër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysëmcilindrike.
Kryqi i kupolës, katër mbulesat gjysëmcilindrike të masave mbështetëse dhe tri absidat e Hierores janë të veshura me fletë bakri ngjyrë floriri. Në ndarjet ndërmjet dritareve të kupolës janë vendosur perimetrikisht 52, elementë dekorativë në reliev, ndërsa katër masat mbështetëse dekorohen me basoreliev, me temë siglën dhe kallirin, si simbol i sakrificës dhe pjellorisë.
Pamja perëndimore – fasada e kishës formohet nga një hark i madh. Ky hark krijon përshtypjen e mikpritjes dhe shiriti i ndritshëm i qelqtë, në ngjyrë të kaltër, të jep përshtypjen e harkut të ylberit. Muri perëndimor është i veshur me mermer të bardhë dhe në qendër të tij ndodhet hyrja kryesore. Mbi hyrjen kryesore është vendosur një kryq i madh i bronztë, i qarkuar nga dy kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit (Joani, 12.24).
Lozha (gjinekoniti), që ndodhet mbi narteksin dhe dy hajatet anësore, disponon dysheme të shkallëzuar, në mënyrë që të gjithë besimtarët të kenë kontakt pamor me naosin qendror, amvonin dhe ikonostasin. Kupola përbrenda është me reliev të dekoruar me mozaik, në qendër të të cilit mbizotëron “i Gjithëpushtetshmi”, ndërsa dymbëdhjetë ndarjet përreth mbulohen me paraqitjen e dekoruar të qiellit. Përqark të Gjithëpushtetshmit, dymbëdhjetë rreze të krijojnë ndjesinë e rrezeve të Dritës Hyjnore, e cila nëpërmjet dritareve përçohet në të gjithë qytetin. Po ashtu me mozaik është zbukuruar absida e hierores dhe katër harqet që mbajnë kupolën.Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD-së Lulzim Basha në ceremoninë e Shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë Foto: Agim Dobi
Llambadari qendror është kompozuar me fletë bronzi, duke krijuar nivele të njëpasnjëshme qirinjsh në formë rrethore dhe gjysmërrethore. Po ashtu, 120 qirinj, të shpërndarë në mënyrë perimetrike, plotësojnë ndriçimin e kishës.
Në qoshen veriperëndimore të truallit është ndërtuar Kishëza, e cila mbulohet me çati në formë kryqi. Kubeja e saj, e veshur me fletë bakri, përfundon me dritare rrethore. Hierorja veçohet nga një ikonostas i gdhendur në dru, ndërsa nga një dritare rrethore e qelqtë, në qendër të dyshemesë, drita natyrale hyn në pagëzimoren, e cila gjendet pikërisht poshtë kishëzës, në katin e nëndheshëm. Kishëza i kushtohet Lindjes së Krishtit dhe është e zbukuruar me ikonografi murale.
Konceptimi arkitekturor i Kambanores me lartësi 46 m, u bë nga Kryepiskopi Anastas, ndërsa projektimi përfundimtar u krye nga një grup projektuesish. Ajo përbëhet nga katër llambadhe Pashke, të cilat simbolizojnë katër Ungjillorët që shpallin Ngjalljen. Ato bashkohen rreth boshtit qendror të shkallëve. Shkalla rrethore të çon në dy kate të hapura, ku janë vendosur 16 kambana. Mbi kambana, ka një orë katërfaqëshe shënon kohën.
Në anën lindore të Kompleksit gjendet Selia e Sinodit të Shenjtë, ku do të vendosen zyrat e Sinodit, të Kryepiskopatës, biblioteka dhe dy kishëza. Këto mjedise janë të vendosura në katër kate të mbidheshme e në dy të nëndheshme. Në katin e tretë, tri veranda të mëdha shikojnë drejt qendrës së Tiranës e Kishës katedrale.
Plotësimi i nevojave për një Qendër Kulturore dhe Konferencash u realizua me shfrytëzimin e dy kateve të nëndheshme, nën sheshin e kishës katedrale. Qendra përmban amfiteatër, me kapacitet prej 500-850 vendesh, që mund të përdoret, gjithashtu, edhe për referate, shfaqje dhe veprimtari muzikore. Krahu i mjediseve ndihmëse – prapaskenave, krijojnë mundësi që salla të përdoret edhe si teatër.
Në pjesën lindore të amfiteatrit, është krijuar një muze i vogël, një sallë referatesh, mjedise për bankete dhe një sallë për ekspozitat dhe veprimtaritë e fëmijëve.
Në të djathtë të shkallëve të mermerta madhështore që të çojnë drejt Kishës katedrale, ekziston një hapësirë e bollshme për ambientet e librarisë dhe të dyqanit të objekteve kishtare. Ndërkohë, në krahun e majtë të shkallëve ndodhen dy salla për takimet e të rinjve dhe e besimtarëve pas mbarimit të shërbesave kishtare. Në anën veriore, përpara Qendrës Kulturore, është krijuar një amfiteatër i vogël, i hapur, për veprimtari verore.
↧
Meshë ceremoniale për shenjtërimin e katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”
↧