Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Poezia e Migena Arllatit vjen si një balerinë poetike që stis art në ritmin e lëvizjeve

$
0
0

Nga Adem Gashi/*

Po e nis diskursin përurues për poezinë e Migenës me një vaki të natyrës redaktuese. Një prej autorëve të shumtë që unë kam redaktuar, kishte vite që ngulmonte t’ia redaktoja një vëllim me poezi. Duke ditur se autorët kanë shumë kërkesa, unë ngula këmbë në vetëm një kusht. I thashë: në çastin që e marr dorëshkrimin, unë harroj autorin. Migenës nuk ia vura as këtë kusht sepse nuk e njihja dhe as kisha lexuar gjë nga ajo. Dorëshkrimi i saj më bindi se nuk ishte e papërvojë në fushën e krijimtarisë letrare, se mbi të gjitha autorja ishte e begatë me kulturë gjuhësore, sepse gjuha është mjeti i domosdoshëm për këtë lloj krijimtarie. Natyrisht, edhe kjo autore kishte një kërkesë këmbëngulëse, shifrën njëqind. Në dorëshkrim qenë njëqind e dy poezi (një fatmirësisht e përsëritur dhe vetëm një për viktimizim). Megjithatë e pranoj se kërkesa nuk qe e natyrës thjesht formale, ngase libri do të botohej në kuadër të nëntorit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Poezitë pa përjashtim ishin të realizuara në gjithë paramentrat estetikë për botim, madje edhe ajo e viktimizuara. Në këtë punën e strukturimit formal të librit, duke gjetur lëvizjen si emanacion të përmbajtjes, i rekomandova autores titullin “Midis ritmeve”, por me të drejtën autoriale, ajo nxorri si argument arkivin e saj artistik, stisur shumë kohë më parë, sa në kornizën e mbamendjes, po aq edhe në kohën e shkrimit të tyre.                                                                                                                  Njëqind lirikat e Migenës dëshmojnë se ajo vjen në botën poetike me verbin e saj, sa origjinal në plan perceptimi të botës e jetës, po aq edhe në plan të realizimit artistik pa ndrojtje dhe pa pozë dukjeje.                                                             Njësia e parë që përthekon këtë cikël poezish, “Orët e jetës time”, mëqaket me motive loti, kolovajze, vdekje kali, vetmi hëne, ecje së prapthi, krejt si një lojë fëmijërie. Reminishenca që brumëzojnë lirika të ndjeshme.                                                                      Njësia e dytë “Më trembin orët kur jam pa ty”, ngre në fron motivin e përjetshëm të dashurisë, motivin e kurorës të kësaj lirike i cili nga përmasa universale ngre fole në botën intime individuale dhe anasjelltas. Në këtë cikël poezish Migena jo vetëm ndihet e sigurtë por ka guximin që të bëj flirte formaliste duke provuar akrostikun, rimën e brendshme, bashkëbisedimin ose dialogun midis vetjeve si sekuenca dramatike të mbushjes shpirtërore. Herë- herë ajo i vë në funksion subjektesh edhe shenjat e pikësimit, një animizëm a metonimi që i bën të flasin pikëpyetjet, edhe presjet, edhe shenjat e tjera.                                                                                      Tek njësia e tretë “Koha që s’ecën”, regjistri i motivacionit vjen më i ngrysur, më i rënduar, më cerebral. Në fjalësin e saj poetik bëhet popullimi me nocione që dalin nga togfjalëshi habitor: Kujtimet qenkan lagur, si ikje, ndjekje, vdekje, vuajtje, bosh, mërzi, lodhje, ëndrra, e të tjera. Por pavarësisht amullisë së kohës që nuk ecën, ajo ruan ekuilibrin duke i shndërruar xhevahiret e zeza në gjerdan poezie. Njësia e katërt “Vdekje indiferencës” përmbledh lirikat që ashpërsojnë shqiptimin e ndjenjave, marrin referencë nga e vërteta, vetëdija dhe arsyeja, duke dëshmuar se Migena di të rebelohet e të ngrejë zërin e protestës, jo duke u kamufluar pas subjektit lirik po drejtpërdrejtë nga vetja. Motivet e atdhetarisë, shpesh të folklorizuara këtyre ditëve dhe sidomos vitin që shkoi, tek ajo janë zëvendësuar me motive qytetarie, duke u përmbajtur me një disiplinë e kulturë arti nga butaforia vrasëse skematike.                                                                                                                Mendoj se konstatimi vlerësues që i rri më pranë kësaj lirike është kapja e jetës në lëvizje, aty ku koha dhe hapësira shkrihen në ritme, midis të cilave galon qenia e dashuruar. Natyrisht, nuk mungon as kundrimi ironik i dramave jetësore që, kur e kur, merr intonim thuaja sarkastik. Në perceptimin e lexuesit, poezia e Migenës vjen si një balerinë poetike që stis art në ritmin e lëvizjeve. Fundja, a nuk është Lëvizja fundament i materies?!                                                                                                   Duke respektuar ritualin përurues për librin në kuadër të festës poetike të Gjakovës, Mitingut të 49-të të poezisë, nuk më bëhet të përfundoj fjalën time pa kapakun e florinjtë konstatues: Libri i Migenës është nga librat e rrallë më poezi që ruan në mënyrë të qëndrueshme ekuilibrat, pa amplituda rrënuese. Më ka rastisur të lexoj vëllime poetike ku nga një poezi antologjike në një faqe, në faqen tjetër shfaqet një skarto, një hedhurinë thuaja e palexueshme. Merreni këtë libër të autores Arllati. Hapeni në cilën faqe të doni, si ta sjellë rasti dhe do ta gjeni pa asnjë drojë lirikën e pastër me vulën e shprehjes së lëngshme e me musht jete të Migenës.

                                                               * Redaktori  i librit

Migena ARLLATI, vëllimi me 100 poezi “Mendime në kornizë”

 

  1. 1.      KONCEPT I GABUAR KOHE

 

Ndodh që ditët

të më duken vite,

ndodh që çastet

të më bëhen të palëvizshme,

ndodh që jetën

ta ndërroj me një orë.

 

Shfrenimi i Zotave Perëndi

Do të lumturohej si asnjëherë.

 

 

  1. 1.      NËPËR ËNDËRRA ZGJUAR

 

E luta laureshën

të ma falte këngën,

ta këndonte për mua,

gjumi të më lodhej

e sytë të më mbylleshin.

 

Nënstrehët e dritareve

roje gati-tu qëndrojnë,

e lëshohen ultratinguj

që kujtesën time ndjekin.

 

Këngë e laureshës…

jo kaq fort,

kapërceje refrenin,

jo kaq fort!

 

Magjirat më ndjell

dhe endjet nëpër çaste gëzimi.

Ti, o këngë që më kënaqe,

ti, o këngë që të mirëpres,

ti, o këngë që ma largove fjetjen!

 

 

  1. 2.      LOTË

 

U lodha së numëruari

dyqind pika loti

që nesër katërqind

presin të bëhen.

Si rrjedhin lotët?

Katërqind, tetëqind, dymijë e dyqind pika lot.

Sa e sa mijëra të tjera lot

që s’quhen më pika

po hauze, dete e oqeane sot.

Siç rrjedhin pa pushim

mes pllajave-faqe

të mjafta për përmbytje jo të një qenieje

po të një bote të tërë në paqe.

 

 

 

  1. 3.      HËNA DHE TI

 

Nuk kam ëndërruar hënën të ulur mbi mua,

nuk kam ëndërruar lumin të shkojë lart,

po edhe nëse i kam ëndërruar

ato janë ashtu siç janë

në trajtën e tyre të origjinës.

 

Ty,

kam ëndërruar të të njoh,

dhe të të dua pa skaj,

pas dashurisë, dihet pastaj.

 

Sot ëndërroj të të takoj

pavarësisht të gjithave.

 

E ç’më duhet hëna mbi krye

kur mbi çdo gjë ti je,

e ç’më duhet të shoh lumin në ajër

kur mendjet tona takohen në re!

 

 

  1. 4.      VEÇ KURORËN

 

Pa titull është kënga ime,

këndojeni si të doni!

 

Pa kuptim është fjala ime,

le ta shajnë gjithkund!

 

Dhe vështrimet pa drejtim janë,

le t’i marrë kush të dojë!

 

Dhe qiellin nuk e dua,

ndajeni mes jush atë që më takon!

 

Veç ti, o mbret

falma kurorën

një çast para vdekjes!

 

 

  1. 5.      LUMTURIA

 

Lumturia,

kjo përrallë jetësh

më kujton sythin e palidhur,

ende të padalë

këputur nga djersa,

kalloja,

cingërima…

 

Lumturia,

në një barsoletë shekujsh

është kthyer!

 

 

 

  1. 6.      PËR NE TË DY

 

Mirë qofshim edhe në jetën që na pret,

Bizhuteri në zemra varur,

Idili i dashurisë mëkatare

E sjelltë mes nesh të bukurën parajsë!

Gënjehet jeta me kalendarë,

Hiret tona botën vrasin

Etyde me yjet duke thurur çdo natë.

A do jemi të tillë edhe nesër, vallë?

Netëve të ndjera u bëfshim serenadë!

Ravijëzohet buzëqeshja lart mbi bust.

A do të jemi gjithmonë kështu vallë?

 

 

  1. 7.      DASHURI MATEMATIKE

 

Po qe se: një edhe një

bëjnë dy

atëherë kuptohet: unë dhe ti

formojmë një çift.

 

Ç’shprehje abstrakte!

 

Një njësh i njehsuar në një

dhe një dysh i dyzuar nga vetë fjala.

 

Po unë dhe ti të tillë jemi,

a mos përqafim i errësirës

pasuar nga një puthje e vjedhur,

na kanë shtuar delikatesën?!

 

 

  1. 8.      TERS

 

Cili është tersi nga ne të dy,

unë apo ti,

ti apo unë,

ne, të dy

apo askush nga ne?

 

Kur bie nata ti më pëshpërit:

“Të dua shpirt!”

Kur zbardh dita, ti më pëshpërit:

“Të dua e dashur!”

 

Tersi s’mund të jetë

në fjalor dashurie.

 

Unë të puth çdo ditë,

çdo mbrëmje, çdo mëngjes.

Tersi s’mund të ngjitet pas puthjesh.

 

Të dua shumë -

në mos qoftë kjo për ters!

 

 

  1. 9.      PA POEZI

 

Shkruaj një rresht, një fjalë

si në një abis

në fletën e bardhë shkarravis

 

Përsëri shkruaj e fshij,

e fleta,

si vetë jeta

lëmsh e tëra,

s’u bëka dot poezi.

 

 

 

 

  1. 10.  KUFOMË E GJALLË

 

Nëse vdes

mos më varrosni,

mishin kapërthyer ndër vete

jashtë ma lini!

 

Do të flasë ai më shumë

se ç’kam folur me heshtjen unë.

 

Do flasin ato që krimbat,

me zor të tjerëve nga dheu ua nxjerrin,

dhe bashkë me dhera lagështie

marrin dheun.

 

Nëse vdes,

dua të jem e pavarrosur,

një kufomë e gjallë që flet.

 

 

 

  1. 11.  PËR TY

(Nënës, në ditëlindjen e saj)

 

Që prej dyzet vjetësh

ke ardhur në jetë,

e që prej njëzet vjetësh

mua më ke sjellë në jetë.

 

Sikur ta dija

sa mundime do të sillja

jetën s’do ta kisha dashur

sepse lotët e tu

shpirtin me brenga ma kanë izoluar.

 

Fjalët e tua

ujëvarë mendimesh tek unë kanë formuar.

 

Një çikëz buqëqeshje jotja

dëshirën për jetë

qindra fish ma shton,

e për të të parë të lumtur

bashkë me magjinë e fjalës “nënë”

Diçka me zemër sot të dhuroj.

 

 

  1. 12.  NËNËS

 

Si nata kredhur në qetësi

më vijnë fjalët e tua, nënë

e jastëku i bardhë, i butë si bora

janë duart e tua që më ledhatojnë

kur flas me rrudhat e tyre.

 

Flokët, ato thinja ari

t’i dua më shumë se çdo vallëzim në botë,

e margaritarët e shpirtit thurur kurorë

mbi krye do të t’i vë,

shpërblim për dramën jetësore.

 

 

 

  1. 13.  S’JAM MANEKIN

 

…se s’jam manekin

indiferencës t’i bëj strehë.

 

Kam mish e gjak e kockë

dhe ndiej,

se si damarëve të mi

ka një rrjedhë

që jep e merr jetë,

pavarësisht se fustanet

i vesh e i zhvesh vetë.

 

Ndaj

manekin s’dua të jem.

 

 

 

  1. 14.  PAS PUTHJES SË PARË

 

Nga puthja e parë

çdokush veten jo mirë e ndjen,

paçka se me një zë thosh

“Jam mirë dhe shumë mirë”,

Një luleshtrydhe e këputur nga dikush

pastaj e futur në gojë tek ti.

 

Luleshtrydhja gjak e tëra ish

kullonte e magjepsje e saj shëmbëllente,

mbushur nga pritja e zemrës në vite

një çudi: si nuk shpërthente ?!

 

Më vonë,

mësuar me këputje luleshtrydhesh të tilla

të duket se lëndina do mbarohet,

por jo,

mbijnë të tjerë: trëndafila.

 

 

 

  1. 15.  MOSPËRFILLJE E GËNJESHTËRT

 

Kur na akuzojnë për xhelozi

shpejt tezën e kundërt paraqesim,

mosinteresi del e përpihet

nga ai lumë i marrë fjalësh.

 

Jo vonë në vorbullën më të lehtë mbytet

sepse i gënjeshtërt është argumenti,

e mendimi xheloz sërish don të fshihet

nën tymin e cektë të mospërfilljes

duke treguar padashur një fakt:

DASHURI!

 

 

 

 

  1. 16.  MES RITMEVE

 

Ritmi i tingujve

zemrën nga gjumi ma zgjon,

ritmi i tingujve

zemrën peshë ma çon.

Ritmi i tingujve,

ritmi i muzikës.

Ndoshta aty është fshehur Bet’hoven,

Ndoshta Iglesias,

Xhekson ndoshta,

Ndoshta është fshehur,

Emri delikat i jetës.

 

 

 

 

  1. 17.  ORË

 

Orët e jetës sime

nisin atje ku mbarojnë.

Orë të zgjatura tërkuzë,

Orë të shtyra me zor,

Orë të pritura me ankth,

Orët e orëve të ditës.

Diku më duket se ka ngecur akrepi,

Atje tek orë e seminarit.

Orët e prishura duhen ndrequr,

përsëri prishen e ndreqen sërish

për t’u prishur e mos u ndrequr më kurrë.

 

 

  1. 18.  INVERS

 

Trupën e një shfaqjeje cirku

kam nisur të shoh në kuzhinë,

ditën e një pranvere

gabimisht e ndiej në dimër,

dhe pulsin që lehtë rreh mbi damar

në flokë e ndiej gjithmonë e më shpesh.

Rekuiem këndohet në dasëm,

me puthje luftojnë ushtarët.

Thonë se Toka rrotullohet.

Asgjë më tepër !

 

 

  1. 19.  ME KADARENË

 

Dy pika shiu ranë mbi qelq

dhe unë për ty seç ndjeva mall,

i dashur pritmë lart në qiell

do vijë ajo ditë dalëngadalë.

 

Do takohemi sërish mbi të vyshkurat lule

të përqafuar me mall të dukemi si në fotografi

dhe ujdhesat i shtrenjtë do marrim tutje

si dikur: ti plak e unë fëmijë.

 

Dhe më shumë kujdes

me mustaqet t’mos më bezdisësh,

dhe me shumë kujdes

gjymtyrët e plogëta të t’i fërkoj,

e bastunin në dorë unë fëmija

ta mbaj si t’isha perandor.

 

Dy pika zjarr ranë mbi zemër

E dashuri seç më ngjallën.

 

  1. 20.  SYZE PËR QIELLIN

 

Për qiellin

do të blija një palë syze,

të shtrenjta, të shtrenjta

sa t’i dridhej fytyra kur t’i vinte.

 

Dhe në vendndodhjen e ylberit

vendin do ta kishin,

aty kur sytë tanë dot nuk shohin,

aty ku vështrimi s’na arrin,

aty ku as s’mund të përfytyrojmë.

 

Për këtë,

i bleva syze qiellit.

 

 

  1. 21.  KËTU BËN FTOHTË

 

Këtu është ftohtë

ndaj gjithnjë kruspull rrimë.

Këtu është ftohtë

e mishi të rrënqethet.

Është ftohtë!

Temperatura e zemrës nën zero,

gjaku i kthyer në ujë,

palca në stalagmite të bardhë.

Këtu është ftohtë

këtë e dinë të gjithë,

Është ftohtë

ndonëse fjalët shkrihen mbi kaloriferë,

e mendja punon si për dreq.

E dinë të gjithë që këtu bën ftohtë

por ajsbergu vetëm majën ka lart.

 

 

 

 

 

 

  1. 22.  MUNGESË E GJATË

 

Që në shpirt ka të mirë e të keqe

këtë e di engjëlli dhe djalli,

se një ekuinoks tokësor

është më i shkurtër se një përtëritje.

I kapur në dremitje

një zog i mirë, i gjorë,

rrëzon petalet e lehta të borës

nën qiellin e rrafshtë të gjetheve.

Një shkëndijë përplaset

e në personifikim të durimit është kthyer,

dhe një tjetër llomotit

me gjuhën krejt zbathur.

Sa herë dolën sonte ?

Një për mua,

një për ty,

E mbi akuj shëtisim,

pa u parë,

të vetëm, të verdhë

të mbetur pa diell !

 

 

  1. 23.  HESHTJE VARRI

 

A mund t’heshtë një varr

me një skelet brenda ?

Edhe gjethet e rëna mbi të

bëjnë më shumë zhurmë se vetë heshtja.

Një unazë (e florinjtë ?)

pajton besnikërinë e fundit.

Klithma sorrash

prishin serenatën e shelgjeve.

Me ç’mall do ta donin heshtjen !!

 

 

 

  1. 24.  … SEPSE

E desha jetën

sepse…

E dashurova atë

sepse…

E fala buzëqeshjen time

sepse…

Besoj se tani

keni një ide për preferencat e mia.

Për pak harrova:

E shkrova këtë poezi

sepse…

 

 

  1. 25.  KËNAQEM ME TY NË LIBRA

 

Sonte s’më punoka mirë stilolapsi

dhe kolla për dreq, fillon e më nget.

E nga t’ia nis për të arritur tek ti,

tek çasti i idilit vdekës me ty ?

 

Ti s’di se dje jam puthur me ajrin,

se lamtumirën dot, jo, nuk ia dhashë,

i padukshëm është,

hej, ç’ligj duhet të ndryshojë vallë ?!

 

Ti s’di diçka më të bukur

se dashurinë në libra po provoj

se mall i Kadaresë, Pushkinit,

balsam për shpirtin, që të gjithë njësoj.

 

Dhe, nëse më i natyrshmi gëzim

ty do të të ngazëllejë,

dije se nga larg ta sjell unë

me lutjet kthyer në postierë.

 

 

  1. 26.  DJERSË TË VETES

 

Më pëlqen të dal shëtitje

e të ec duke numëruar hapat e mi.

Ç’tjetër mund të bëj

për të parë gjurmët në kthim ?

Më pëlqen të jem vetëm ,

qoftë edhe me një bastun imagjinar

edhe të ec, të ec,

duke u lodhur së kontrolluari njësitë,

duke imituar bezdinë e atij

që ka për grua një mësuese gjuhe;

Jo ‘s’ por ‘z’,

jo pikëpyetje por reticensë.

E kështu të lodhem,

të lodhem në kontrollin

e një shëtitjeje solo,

aq më tepër nga vetja.

 

 

 

  1. 27.  LOZONJARE, SI VAJZAT

 

Fryn era dhe gjethet e pemëve lodh,

Lëvizin të gjorat dhe fëshfërimë formojnë.

Sa bukur !

Si të veshura me minifunde

në një parakalim mode spërdridhën

padukshmërisë së ajrit.

 

Si lozonjare

që joshin djemtë t’u vijnë pas.

Po ç’kuptojnë ata

pas vajzave me ose pa minifunde

mahnitur.

 

Gjithet rrinë e qeshen të dëshiruara .

 

ç’faj u ka trungu

që ato janë aq larg ?!

 

 

 

  1. 28.  MYKU I VETES

 

Një djalosh të buzëqesh atje

e ti ul kokën e turpëruar,

sikur patriarkalizmi shekullor

në trupin tënd të ketë kulluar.

E nga ky kullim

një rreze çiltërsie venitet.

Simpati e çastit ?

Dashuri e përnjëhershme ?

S’ka rëndësi.

 

Përballë saj

ti ke vënë mykun e stërlashtë,

për të thënë diçka më tepër,

je mbyllur brenda

në një guackë.

 

 

 

  1. 29.  DËSHIRË E RE

 

Dua të shfryj si era

Me tallazat pafund të shpirtit.

Dua

të përplasem, vritem,

gjakosem, nxehem.

Dua

të shfryhem

të mos ngjaj si ballon brengash,

të lutem me pemët,

pallatet, njerëzit,

të shoh ç’formë zbrazëtie marr,

të ngatërrohem pafundësisht,

të puthem me lulet e parqeve,

të krihem me telat e korentit.

 

Dua…

Sa dua t’jem si era !

 

 

  1. 30.  MYSAFIR PAS SHIUT

Në asfaltet e lagur

pluhuri ka ngjitur mrekulli,

e keqe e tij njësh me të është bërë.

Ne me këmbë e puthim

për ta sjellë si mysafir të rastit

në shtëpitë tona.

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles