Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

UNGJILLI SIPAS FAN S NOLIT

$
0
0

Fan Noli (1882- 1965), intelektuali më i madh i diasporës shqiptare, është njëkohësisht edhe shkrimtari më tipik i saj. Ai sikur ka lindur për ta ilustruar fjalën diasporë, ngaqë në greqishte, të cilën Noli e njihte me rrënjë, kjo fjalë është e kompozuar nga një ndajfolje vendi (gr. dia – nëpër) dhe nga një emër i përgjithshëm (gr. spora – farë) dhe ka kuptimin e shpërndarjes (nëpër) dhe të ngulitjes (farë). Pra, kjo fjalë emërton njerëzit, familjet, bashkësitë e ndryshme që shpërndahen nëpër botë, pra hidhen si farë nëpër tokën e huaj, dhe aty ku ndalen, nguliten, “mbijnë”. Noli ishte fryt i një ngulitjeje të tillë. Ai lindi në një koloni ushtarake greqishtfolëse në Turqinë Evropiane, ndërsa jetoi, ku më pak e ku më shumë, në këto vende: Egjipt, Bullgari, Rumuni, Austri, Gjermani, Shqipëri, Itali, New York etj., në të cilat pati punë e poste të ndryshme, nga sufler, aktor, mësues, përkthyes, kryeredaktor e deri në udhëheqës shpirtëror (prift ortodoks) dhe udhëheqës politik (kryeministër).
Noli, student i Universitetit të Harvardit, doktor i dyfishtë (histori dhe muzikë) ishte polimat shqiptar: poliglot, ideolog, poet, dramaturg, kritik, kompozitor etj. Ai, si i madh që ishte shoqërohej me të mëdhenj. Miq të tij realë ishin: Georg Bernard Shaw, Thomas Mann, Albert Einstein, Woodrow Wilson etj. Ndërsa miq të tij virtualë ishin: Khajam, Shakespeare, Cervantes, Goethe, Hugo, Poe, Baudelaire, Beethoven etj. Modele në jetën politike dhe shpirtërore kishte: Skënderbeun, Napoleonin dhe Krishtin. Në plan total, Noli u shndërrua në një Rabindranat Tagore shqiptar. Siç shkruante The Manchester Guardian (23 qershor 1924), Noli ishte një njeri me kulturë të gjerë, i cili kishte lexuar gjithçka që ia vlente të lexohej në anglisht dhe frëngjisht.
Edhe pse me introduktat e tij zë një vend të veçantë në historinë e mendimit kritik, Noli asnjëherë nuk shkroi ndonjë introduktë për ndonjë libër shqiptar. Megjithatë, duke sjellë kryeveprat botërore në gjuhë shqipe, ai ofroi modelin më të mirë për ta avancuar letërsinë shqipe.
Gjithashtu, Noli është poeti që ka shkruar më së paku e që njihet më së shumti. Nga 22 poezitë origjinale të botuara në Album, pothuajse të gjitha janë bërë popullore, madje disa tashmë janë këngë të njohura, si: Jepni për Nënën, Anës lumenjve, Lidhje e paçkëputur etj. Prej këtyre 22 poezive, një është himn (Hymni i Flamurit), dy satira antisulltan (Kënga e Salep-Sulltanit), një epigram (Tallja përpara kryqit), një epinik (Rend, or marathonomak), katër poezi dashurie (Plak, topall dhe ashik, Sofokliu, Lidhje e paçkëputur, Çepelitja), një elegji (Syrgjyn-vdekur), dy ditirambe (Thomsoni dhe kuçedra dhe Shpell’ e Dragobisë) dy poezi me motive nga Dhiata e Vjetër (Anës lumenjve dhe Moisiu në mal), gjashtë nga Dhiata e Re (Marshi i Krishtit, Krishti me kamçikun, Shën Pjetri në mangall, Marshi i kryqësimit, Kirenari, Kryqësimi) dhe një poezi apokaliptike (Marshi i Barabajt). Siç po shihet, dominojnë poezitë me motive ungjillore.
Nolin kritika e ka konsideruar poet okazional, por nëse do të merreshin në konsideratë edhe poezitë e pagjetura deri më sot, të cilat ai i ka shkruar, por që kurrë nuk janë publikuar, atëherë do të mund të thoshim që Noli është poeti i parë shqiptar që shkruan një sistem strikt monotematik. Këtë stistemim nuk arriti ta bënte as Kuteli, i cili, i njohur për stistematizimin e librave të Lasgushit, ndonëse kishte shkruar parathënien e një botimi të Albumit, nuk kishte arritur, madje as kishte pretenduar, ta sistemonte poezinë e Nolit, që e merrte si model për Poemin kosovar.
Libri i Nolit quhet Album, për ta arsyetuar larminë ideore e formale. Poezitë e këtij libri mezi ishin mbledhur nëpër gazeta e miq për t’u publikuar si një përmbledhje e poezive të shkapërderdhura. Ne e njohim Albumin, por nuk e njohim Ungjillin e Nolit, sistemin e tij.
Tragjedia e dorëshkrimit
Ndër letra të ndryshme të tij, Noli kishte shkruar edhe disa shënime për njëlloj cikli apo libri (kjo nuk përcaktohet) që do të ribënte ungjillin në formë poetike. Këtë koncept ai e kishte quajtur “Tragjedia e kryqit” dhe në të do të bënin pjesë 13 poezi sipas kronologjisë ungjillore (“Marshi i Krishtit”, “Në mal të ullinjve”, “Krishti me kamçikun”, “Krishti, Magdalena, Juda”, “Darka mistike”, “Shën Pjetri në mangall”, “Ecce Homo”, “Marshi i kryqësimit”, “Kirenari”, “Kryqësimi”, “Vajtimet e grave”, “Vizionet”, “Ngjallja”) dhe një epilog apokaliptik (“Marshi i Barabajt”).
Duke konceptuar këtë ungjill poetik, Noli po krijonte një sistem të poezive parabolike me prapavijë politike. Trembëdhjetë poezi do të krijonin ungjillin poetik dhe do të lexoheshin si retorikë religjioze nën petkun e së cilës dominonte diskursi politik, meqë, sipas Kutelit, “mburimi i saj është një kauzistikë përsonale në lidhje me ngjarjet politike të Qershorit e të Dhjetorit 1924”.
Duke u nisur nga poezitë që kanë mbetur nga ky sistem (gjithsej gjashtë, meqë “Marshi i Barabajt” është Coda e librit), mund të konkludohet se edhe më tutje sistemi do të shkonte kështu: figurat zotëruese – aliteracioni, ironia; forma – katrena; toni – satirik; idetë – politike; fryma – biblike; fjalori – barbarizma. Madje si poliglot që ishte, Noli vetëm në këtë ungjill e tregon temën duke huazuar fjalë nga nëntë gjuhë të huaja: 1. turqisht (kamxhik, hurma, dyqan, pazar, usta, budalla, kaba, allçak, buxhak, batërdisje, lanet, tamam, mangall, qymez, aman, dynja, rezil, katil, zinxhir, tebdil, budrum, katran, zëndan, dallkauk, kopuk, baba, sherr, qejf, sehir, kallaballëk, shamatë, qylaf, vergji, sajdi, havaz, dolli, kabardisje, dert, gajret, çekan, mejdan); 2. arabisht (saraf, allalla); 3. persisht (zurna, turfanda, derbeder, behar), 4. hebraisht (hosanna, baraba, Mesí); 5. greqisht (tiran, dafinë, pean, temjan, hipokrit, parasit, ideal, hero, martir, politikan); 6. latinisht (tempull, uzurë, predikim, legalitet, protestë, armë, turmë, orator, lavdi, plagë); 7. italisht (bandill, alarm); 8. frëngjisht (marsh, paradë, peronë); 9. rusisht (rob, poçe).
Vokabulari i sistemit të Nolit është vokabular ungjillor: Krishti, Mesia, Perëndia, Davidi, Shën Pjetri, Pilati, Maria, Kryqi, Kalvari, Golgotha, Galilea etj. Edhe alegoria e poezive të tij është sipas konceptit alegorik mesjetar, ku Bariu është Krishti, këmbana e dashit është Kisha, grigjë janë besimtarët, ujku është djalli. S’do mend që Noli, duke pasur edukim bizantin, i njihte mirë këto alegori, disa nga të cilat i përdori në poezitë e tij. Vetëm se këtu alegoria thellohet edhe për një shkallë: Barí është Krishti, Krisht është Noli. Dihet, Noli në Autobiografinë e vet e pranon identifikimin me Krishtin, ndërsa në poezitë ungjillore vetëm sa e ilustron këtë identifikim.
Noli prift e predikoi ungjillin, Noli politikan e jetoi ungjillin, Noli poet e shkroi ungjillin. Këtë ungjill poetik studiuesit e kanë për detyrë ta kompletojnë dhe ta botojnë. Sado i vogël të dalë ky libër (trembëdhjetë poezi ungjilli dhe një himn për barabain apokaliptik), do të kishte një rëndësi të madhe: do të kompletohej sistemi më strikt poetik në letërsinë shqipe të shekullit të njëzet.
Natyrisht kompletimi i këtij sistemi nuk është i lehtë, ai mund të jetë i shkapërderdhur nëpër botë, meqë Noli gjatë jetës së tij shkeli katër kontinente (dhe në të gjitha mund të ketë shkruar). Arkivi Qendror i Shqipërisë nuk i posedon poezitë e pabotuara, pos disa shënimeve për to. Mjafton që një gjë dihet sakt: Noli e shkroi ungjillin të plotë. Ajo që s’dihet është gjysma e këtij ungjilli. Edhe po të ishin të dobëta, ato poezi të pagjetura do të ishin të vlefshme, sepse do të kompletonin një sistem.
Dorëshkrimi i “Tragjedisë së kryqit” është një mungesë e madhe e poezisë shqipe, kurse koncepti mbi këtë dorëshkrim është shenjë e pastër që tregon se Noli, pos përvojës dhe dijes fetare, kishte edhe një vetëdije të lartë letrare. Noli që u identifikua gjithmonë me Krishtin; Noli që u largua nga Shqipëria ditën e Krishtlindjeve; Noli, të cilin, si për ta krahasuar me profetët, nuk e deshi atdheu i tij, natyrisht që, pas katër ungjijve zyrtarë (Luka, Mateu, Marku, Gjoni), duhej ta shkruante edhe versionin e vet, në të cilin Krishti do të ishte Nol e Noli Krisht.(Kortezi: Ag APOLLONI)


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>