NGA ENGJELL ZERDELIA/
Nën përkujdesjen e Bashkisë,Bibliotekës Publike,Teatrit Bylis në Fier u organizua veprimtaria përuruese e librit “Teatri kjo lojë magjepsëse, 5” e regjisorit dhe shkrimtarit të mirënjohur Pëllumb Kulla. Vepra e pestë dhe të tjerat patjetër në vazhdim e paraqesin z.Pëllumb Kulla, personalitet të humorit dhe të dramaturgjisë kombëtare, shkrimtar, publicist, aktor, drejtor të estradës, pedagog, dekan, tekstolog virtuoz, regjisor i shquar, intelektual shumëplanesh, përkthyes, enciklopedi e vërtetë, prind dhe bashkëshort shembullor. Kjo ditë e bukur fundvjeshte me një diell të ngrohtë dhe qiell të pastër mblodhi në Fier: miq, shokë, aktorë, regjisorë, qytetarë që kultivojnë kulturë letrare, të afërt, jo vetëm nga Fieri, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë ; të cilët i dhanë dritë dhe gëzim gjithë Fierit. Rruga e shkurtër nga teatri “Bylis” deri tek Biblioteka Publike na u duk, sa e ëmbël, aq edhe mbresëlënëse midis diskutanteve të shumtë për mallin dhe dashurinë ndaj P.Kullës dhe paraqitjes së veprës së tij. Pragfillimi, takime malli dhe kujtimesh për punën dhe pasionin plot përkushtim për estradën dhe teatrin me zonjat dhe zotërinjtë e mrekullueshëm: Leka Bongo, Hajrie Rondo, Xhuljeta Kulla, Thoma Meço, Maku Pone, Todi Llupo, Arqile Lipe, Luftar Paja, Xhevair Zeneli, Sotir Stefa e të tjerë. Si pa u ndjerë dhe pa e kuptuar arritëm tek salla, ku na priti dhe uroi mirëseardhjen regjisori i shquar z.Pëllumb Kulla. Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Bibliotekës Publike z.Petrit Nika, i cili me fjalë të përzgjedhura bukur bëri një paraqitje sa të drjetë dhe të merituar për veprën dhe regjisorin apo shkrimtarin Pëllumb Kulla. Më pas ai përmendi një performancë të autorit, duke u ndalur shkurtimisht për jetën e tij. P.Kulla lindi në Zemblak-Korçë, më 10.01.1940. Përfundon arsimin e mesëm në degën mekanike të “Politeknikumit 7 nëntori”(Tiranë) dhe studimet e larta i kryen në shkollën teatrale “Aleksandër Mojsiu” më 1964 dhe emërohet regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrit të atij qyteti. Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon për riedukim në gurore, minierë, ndërtim e më pas në ofiçinë. Riedukimi zgjat po aq sa iu desh për të kryer studimet e larta, plot katër vjet.
Më 1972 emërohet aktor në teatrin e Fierit, më pas për 18 vjet rresht punon si regjsor i Estradës dhe Teatrit, ku falë talentit dhe pasionit të tij, Fieri ishte maja e arritjeve të teatrit dhe estradës në Shqipëri. Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSh-së për spektaklin e Vitit të Ri. Nën drejtimin e P.Kullës, estrada e Fierit është më e mira në vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare, ndër të cilët: “Çobo Rrapushi me shokë” (1980), “Lipe Shtogu në listë” (1979), “Shoku Niqifor” (1981), “Portrete pa makiazh” (1983), “Po martojmë Malon” (1984), “Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç” (1988), “Dy krisma në Paris”, buletini “Teatër” e të tjera. Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bon, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB-se, në Nju Jork (1993-1997). Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut. Shumë shpejt u rikthye në New-York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. Është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Mojsiu i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” (3 dhjetor 2003) .
Moderatori më pas ia dha fjalën redaktorit Petrit Ruka, i cili plot kumt dhe me fjalë mjaltë dhe patetizem të përkorë u ndal në detaje për librin “Teatri kjo lojë magjepsëse 5” në dramë, komedi, skeçe,dialogë, monologë, skica, intervista dhe shënime: Shtëpia, ku është ende dje, Nusja jonë si flori, Do punojmë jashtë orarit, …, Atdheu im, 40-vjetori i teatrit “Bylis”, …, Tela për violinë, …, Shqipëri, vëlla, Shqipëri, …,Zhuljana Jorganxhiu, …, Mihal Luarasi mbushi sot 85 vjet, e të tjera, përfundon fjalën në vlagën e duartrokitjeve të zjarrta të pjesëmarrësve në sallë duke iu drejtuar kryedrejtorit( siç do ta titullonte autori P.Kulla) Thoma Meço, i cili e përgëzoi pa masë zotin Pëllumb Kulla që u bë promotori i sukseseve të Teatrit dhe estradës së Fierit për 20 vjet me radhë. E pas tij fjalën e mori regjsori që pa ngurim është miku më i ngushtë i zotit Pëllumb Kulla, zoti Leka Bungo, i cili iu drejtua auditorit me fjalë të thjeshta dhe të bukura; miq dhe vellezër nëpërmjet përgëzimit të Pëllumbit, përulemi me respekt për atë kastë aktorësh të mrekullueshëm që luajtën apo u drejtuan nga Pëllumb Kulla, me shpoti siç di vetëm ai e falenderoi edhe sponsorin kryesor Bashkinë Fier, me fjalët metalike tha se, ju kryetar, apo dhe para jush, ju i bëni nder vetes suaj, duke ndihmuar artin. E vijon diskutimin, krijuesi Maku Pone, i cili vlerëson 5 veprat dhe sqaron se ato janë jetë brenda historisë së teatrit shqiptar. Luftar Paja u ndal gjatë në rolet që i ngarkonte regjisori dhe sukseseve të tyre me qesëndi tha se, aman ere Pëllumb na kryqëzove me ballistët dhe gjermanët, qeshëm të gjithë…, nuk më rihet pa përmendur dy zonjat e nderuara H.Rondon dhe Xh.Kullën, urime, urime. Krytari i Bashkisë A.Subashi vlerësoi librin dhe veprën e zotit Pëllum Kulla, si nderi i qytetit, që i dha një tjetër shkëlqim Fierit në këto ditë festash të Nëntorit dhe i dhuroi në shenjë simbolike një stilolaps që nuk do te rreshti së shkruari për veprën me emrin Fier-Shqipëri. Nën emocione të papërmbajtura zoti Pëlumb Kulla falenderoi pa masë pjesëmarrësit në auditorin plot dritë si dhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve; Bashkinë, Bibliotën Publike, Teatrin Bylis, shtëpinë botuese “Geer” me zotin Gjon Jaku, redaktorin Petrit Ruka, Like Rehovën për ballinën e librit, Këshillin bashkiak të të gjitha partive, ish-kryetarin e bashkisë Baftjar Zeqaj, ish-zëvëndësministrin e dikurshëm Pipi Mitrojorgji, aktorët që janë e nuk janë midis nesh, një respekt i veçantë për publikun fierak e shqiptar. Ndjehem krenar se ky përurim i tejkalon këto përmasa sepse vlerësohem unë njeriu-Pëllumb, krenaria e dytë është se keto që kam në libër janë shkruar nga 1970 dhe deri sot pa hequr qoftë dhe një presje dhe kjo më bën që të jem krejtësisht i besueshëm. Në kokteilin e servirur në ambjentet e auditorit na falenderoi me mirënjohje edhe neve të ardhurve nga Lushnja enkas për këtë përurim duke na u drejtuar me fjalët e ngrohta për dirigjentin Maksim Kulla, jo si kushuriri i tij, por si artist, po kështu dhe për ty profesor, autori i Kongreseve të Lushnjes që po pres të shkëmbejmë librat mes njëri-tjetrit dhe juve aktori-humorist Petraq Dhimitri, mandej plot emocion shtoi se ju jam shumë mirënjohës të gjithëve për tërë jetën, për nderin që më bëtë, se ndera me nder shpërblehet dhe këto përgëzime do t’i përcjell në Amerikë.
Per me shume foto shih ne Facebook
↧
Teatri magjepsëse i Pëllumb Kullës mbledh artistët dhe krijuesit në Fier
↧