PRISHTINË, 6 Prill 2016/ Ministri Kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot lokalitetin arkeologjik të Kalasë së Novobërdës, ku përcolli nga afër fillimin e punimeve që po bëhen në rikonstruktim e tërësishëm të kësaj kalaje.
Ai u shpreh i kënaqur me dinamikën e punimeve në këtë lokalitet të rëndësishëm arkeologjik dhe premtoi bashkëpunim e përkrahje të vazhdueshme të MKRS-së për trashëgiminë kulturore të Kosovës, në të cilën kjo kala zë një vend tejet me rëndësi, si vlerë e identitetit të saj.
Më tej, ministri Shala u shpreh se duke e rikonstruktuar lokalitetin e pasur arkeologjik, Kosova afirmon trashëgiminë e saj kulturore dhe njëkohësisht dëshmon për vlerat e saj të jashtëzakonshme, që janë tejet të rëndësishme edhe për zhvillimin e turizmit kulturor.
Projekti i rikonstruktimit të Kalasë së Novobërdës është mbështetur financiarisht nga Zyra e BE-së, kurse zbatohet në bashkëpunim ndërmjet BE-së, UNESCO-së dhe MKRS-së.
Punimet vazhdojnë edhe këtë sivjet dhe mbikëqyrën nga Institucioni Arkeologjik i Kosovës dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. MRKS-ja sivjet ka ndarë një buxhet prej 100 mijë eurosh për këtë projekt, ndërsa shuma totale e këtij projekti është rreth 1 milion euro./b.j/