-Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Maj 2016/ Përfundoi mbrëmë me ndarje çmimesh edicioni i 27 i Festivalit Folklorik Hasi Jehon, i nisur në 2 maj, në Kodrën e Pajtimit në fshatin Gjonaj, rajon kufitar Kosovë-Shqipëri në rrethinën e Prizrenit.
Pjesëmarrësit ishin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, ndërsa për paraqitjen më komplete të riteve dokeve, pjesës së folklorit burimor nga treva prej nga vjen me “Malësorin”, çmimin kryesor të festivalit, u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Besiana” nga Bresana, fshat në krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri, të dytë, të shqiptarëve.
Me çmimin “Malësorja” u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Ilirida” nga Shkupi, ndërsa me “Lauhtën e Festivalit Hasi Jehon 2016” u nderuan Ansambli “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Ansambli autokton “Rugova” nga Peja.
Me çmimin “Nazmije Hoxha”, që e mban emrin e këngëtares hasjane, u nderua Ganimete Asllani nga Mitrovica.
Me mirënjohje për vepër jetësore u nderua artistja hasjane Safete Rugova, të cilën drejtori i Festivalit Hasi Jehon, Haziz Hodaj, e quajti monument të kulturës hasjane.
“Ky festival sot quhet dasma hasjane, nëpër të cilën parakalon tradita e të gjitha viseve shqiptare, prandaj sot në Has nis dasma gjithshiptare”, është shprehur ai në fillimin e aktivitetit treditësh të Hasi Jehon.
Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket.
Para parakalimit në skenë të shoqërive kulturo-artistike, në sallën e shtëpisë së kulturës në Gjonaj, u hap ekspozita e prodhimeve të bukës dhe ekspozita e veshjes hasjane. Karakteristikë e këtij viti ishte demonstrimi i gatimit nga gratë hasjane si dhe përgatitja e materialit për veshjet karakteristike dhe origjinale hasjane.