-Nga Kalaja e Prizrenit shikohet perëndimi i diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga Grupi Jonianët/
-Atraksion edhe Muzeu i Korrupsionit, me shumë vizitorë/
PRIZREN, 12 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prizren, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, edicioni i 15-të jubilar, i hapur solemnisht në 5 gusht, përmbyllet nesër me shpalljen e filmave më të mirë – ndarje çmimesh. “Gjithëçka ka shkuar shumë mirë dhe ka pasur një interesim të shtuar nga publiku”, thanë sot organizatorët në një konferencë shtypi.
Në DokuFest 2016, festivalin e hapur me ceremoninë e zhvilluar në kinemanë mbi lumin Lumëbardh, sipas orgnizatorëve, shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, që janë përzgjedhur nga një numër rekord -mbi 5 mijë aplikime.
Edhe drejt përfundimit, aktivitet e shumta të festivalit po vazhdojnë. “Në Sunset Stage, nga Kalaja e Prizrenit do të mund të shikoni perëndimin e diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga Grupi Jonianët, teksa DokuNights do të ndërrojë ritmin për më shumë underground techno sonte”, bënë të ditur organizatorët, ndërkohë që edhe Muzeu i Korrupsionit është një atraksion për vizitorët e shumtë.
Shumica e vizitorëve të Muzeut të Korrupsionit, i vendosur në kej të Lumbardhit, në qendër të Prizrenit, nuk kanë ide se çfarë do i pret brenda. Ata i presin Lumi (aktori në filmin e nominuar për Oskar “Shok”) dhe Onati, një aktor tjetër, të cilët janë udhërrëfyesit e muzeut të improvizuar.
Këta dy ciceronë të rinj e shpjegojnë secilin artifakt dhe copëz të mbetur nga “koha kur kishte korrupsion në shoqërinë tonë”. Diploma e falsifikuar me vulë të filxhanit të kafes, dollapi i stërmbushur me dojse të gjykatave, fotografi të atyre që e luftuan korrupsionin, janë këto vetëm disa prej shumë detajeve të paraqitura në këtë “muze”, për vizitorët. Këto gjësende janë të vendosura me qëllim që të krijohet iluzioni i “ecjes në një kohë kur korrupsioni mbretëronte në shoqërinë tonë”.
“Ishte interesant sepse ne jetojmë mu në këtë kohë, kur korrupsioni po na vështirëson jetën të gjithëve. Por ishte një përvojë që më shtyu të përfytyroj se si do të dukej periudha kur nuk do të kishte korrupsion – dhe për pak minuta, u ndjeva më mirë”, citoht një vizitor në një njoftim dërguar sot nga UNDP.
“Ideja e krijimit të nje situate imagjinare dhe satirike si muzeu, është që të nxisim reagime nga qytetarët, që ata të kërkojnë llogaridhënie nga udhëheqësit e tyre, që të luftojnë këtë problem që po na e vështirëson jetën tonë çdo ditë e më shumë. Pse jo, edhe të krijojmë një situatë ku njëmend korrupsioni është pjesë e së kaluares tonë”, shprehet Vigan Hoxha, nga UNDP, një nga krijuesit e konceptit të muzeut.
Muzeu i Korrupsionit do të jetë i hapur deri më 13 gusht dhe është pjesë e bashkëpunimit të Projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së dhe DokuFest-it.
Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së (SAEK) mbështetet nga Zyra Zvicerrane për Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA).
Organizatorët e DokuFest në Prizren kanë deklaruar se, “korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë”.
Verën e kaluar, në DokuFest 2015, në qendër ishte tema e migrimit.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.