Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

PROMOVOHET LIBRI MË I RI I EUGJEN MERLIKËS “THINJAT E ATDHEUT”

$
0
0

Eugjen Merlika pinjoll i një familjeje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë vjen për lexuesin me librin më të ri. “Thinjat e atdheut” quhet përmbledhja me shkrime publicistike 2006-2014, botuar nga UET PRESS. Libri u promovua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës ku morën pjesë personalitete të njohur të botës kulturore.

Nevila Nika, rektore e UET u shpreh se libri i Merlikës është një kontribut për shoqërinë dhe mendimin. Merlika jo vetëm fotografon të shkuarën por përmes intelektualit të angazhuar i flet kohës që po jetojmë. ““Thinjat e Atdheut”, sikurse libri i mëparshëm “Përsiatje …” përveçse libër për Merlikët, në radhë të parë është libër për Markagjonët, Mirakajt, Dinet, Përvizët, Kolajt, Kaloshët, Kupët e tjerë, është libër për ndërthurjet e fateve të familjeve të mëdha të kombit tashmë jo në vijën e parë të përfaqësimit të kombit, lartësimit të kombit, por në llogoren e ferrit të përbashkët të mbijetesës.

Klasa e lartë e kombit dhe e vendit do të ishte klasë e përmbysur, do të ishte e deklasuar. Kam kërkuar gati disi nënvetëdijshëm të gjej përkufizim sa më të saktë për të deklasuarit, siç quheshin të përmbysurit nga përmbysësit e pushtetit”, shkruan në parathënien e këtij libri Skënder Bucpapaj.Po botojmë për lexuesit e Diellit fjalën e plotë të autorit gjatë promovimit:

***

FJALË PËRSHËNDETËSE NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THINJAT E ATDHEUT”

            Të nderuara zonja e zotërinj,

            Së pari dua t’u falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë promovim libri, pjesëmarrje të cilën e quaj një nderim të veçantë kundrejt personit tim dhe historisë së tij.

            Më lejoni të shpreh këtu para jush mirënjohjen e thellë për refereueset e nderuara që paraqitën atë libër, Rektoren fisnike të Universitetit Evropian të Tiranës, znj. Nevila Nika, drejtoreshën e shtëpisë botuese Uet Press, Alda Bardhyli e për gazetaren e mirënjohur të mediave shqiptare znj. Luljeta Progni. Por një falënderim i veçantë nga kjo sallë i shkon edhe autorit të parathënies së këtij libri, një personazhi poliedrik të kulturës shqiptare, poetit Skënder Buçpapaj, që me pendën e tij i ka dhënë një vlerë të shtuar këtij vëllimi. Një tjetër falënderim të sinqertë shpreh këtu edhe për shtëpinë botuese UET PRESS që mirëpriti e miratoi botimin e këtij vëllimi me shkrime publiçistike, të botuara kryesisht në gazetën Mapo, të drejtuar me objektivitet, paanësi e tolerancë bindjesh nga z. Henri Çili. Falenderoj edhe z. Besnik Frashni për kapakët e dy librave të botuara këtu.

            Vëllimit tim i kam dhënë titullin “Thinjat e Atdheut”. Thinjat normalisht tek njerëzit janë sinonime të kohës që kalon, janë gjurmët më të dukëshme të viteve që shkojnë e që paralajmërojnë fundin e përvojës tokësore mbi këtë rruzull e afrimin e një tjetër jete për ata që e besojnë e të “hiçit që rrotullohet rreth hiçit”, për ata që përtej vdekjes shohin asgjënë.

            Metafora e titullit e shtrin qëllimin e dukurisë në një spektër më të gjërë. Nga thinjat e njeriut tek thinjat e Atdheut, sepse ashtu sikurse individi ka një ecuri që kalon nëpër të gjitha stinët e jetës, ashtu edhe Atdheu, Kombi, bashkësia e krijesave njerëzore që njëjtësohen në gjuhën, zakonet, historinë, përvojën jetësore, kanë jetën e tyre që është shumatorja e jetës së brezave dhe ndihmesës së tyre në historinë e botës.

            Ndryshimi ndërmjet nesh si individë dhe Atdheut e kombit tonë është se ndërsa ne i nënështrohemi ligjeve biologjike të jetës dhe ndërrimit të saj, ky i fundit ka një jetë shumë të gjatë e, ndoshta nuk njeh vdekje kurrë. Por ashtu si ne që shpesh thinjemi para kohe nga problemet e ndryshme me të cilët përballohemi, edhe Atdheu, si pasojë e rrebesheve të historisë, mund të thinjet nga mundimet e dertet e pazakonta që shoqërojnë ecjen e tij të gjatë. Dertet e Atdheut janë ata të bijve të tij, ka një lidhje të çuditëshme mes tyre, të padukëshme, por tepër qenësorë.

            Në një Vend të ndrydhyur nga pesha e derteve vështirë se mund të ketë njerëz të lumtur dhe, anasjelltas, lumturitë individuale i japin forcë e frymëmarrje kurmit të Atdheut. Historia e jonë, si popull e si komb, fatkeqësisht ka qënë shumë dorështrënguar n’atë drejtim. Shekuj të gjatë pushtimesh të huaja e paaftësie endemike për të krijuar bashkësi të organizuara e të zhvilluara, të shoqëruar nga një fatalitet historik e kanë shtyrë anijen tonë të lundronte në gjysmën e errët të botës, larg asaj të dritës, një gjëndje të cilën na e jep me pak fjalë njëri ndër personazhet madhorë të kulturës sonë, Imzot Fan Noli, në poezinë “Anës lumenjve”, ndoshta aktuale dhe sot e kësaj dite.

            Pushtimet, tiranitë e diktaturat kanë shtuar thinjat e Atdheut, po ashtu si kanë bërë të mbijnë ato në lulen e rinisë tek bijtë e tij. Ngjyra e bardhë mbi kryet e njerëzve është ajo më e parapëlqyera në mendësinë e tyre. Në librin tim ka një shkrim për Dedë Gjomarkajn, një njeri i thinjur në pak kohë në një birucë të Sigurimit të shtetit, edhe se nuk kishte mbushur moshën 27-vjeçare, si pasojë e një arrestimi të fshehtë për të cilin nuk dinte asgjë askush. Me shakanë e një stoiku të vërtetë ai thonte më vonë “U zbardha sepse nuk munda të skuqem”. Thinjat e tij, ashtu si edhe të shumë të tjerëve në kushtet e tij apo të ngjajshme me të, ishin dhe thinjat e Atdheut, sepse flijimi i bijve të tij për idealet e rrugës së nderit e të luftës për lirinë e tij, i shtonin atij krenarinë, por edhe dhimbjen, sepse thinjat janë pasqyrë e dhimbjeve fizike e shpirtërore.

            Thinjat e Atdheut i kam parë në mundimet e vuajtjet e atyre që i kanë kushtuar atij të gjithë jetën e veprën e tyre, shpesh të pakuptuar, të mallkuar, të përdhunuar madje edhe deri tek eshtrat e varreve. I kam gjetur në vepra të ndryshme letrare, kryesisht të realizmit mbas komunist, në dëshmitë tragjike e dramatike të një përndjekjeje të pashembulltë gjysëm shekullore, të pasqyruar në shkrimet e Visar Zhitit, të Fatbardha Saraçi Mulletit, të Elena Mirakaj Lulit, të Tomë Mrijës, të Aldo Terruzit, të Albert Frashërit, të Kurt Kolës, të Lekë Përvizit.

            Thinjat e Atdheut ishin në sfondin e jetëve të mbaruara, apo të gjymtuara të bashkëvuajtësve në kampet e internimit, të cilëve u kam kushtuar shkrimet e mija in Memoria. Kanë nota të theksuara dhimbjeje ata shkrime kur i kushtohen atyre që ndërronin jetë para kohe, siç është rasti i Manjolës, një luleje të lindur në kampin e Gradishtit e që prehet e qetë në Nju Jorkun e largët.

            Me një respekt të veçantë e një brengë të madhe në shpirt, në këtë libër i janë kushtuar dy shkrime një djaloshi idealist, Atjon Zhitit, që në agun e jetës u kthye (citoj) në një “meteor që do të ndriçojë gjithmonë qiellin tonë të hirtë, i ngulitur thellë në kujtesën tonë, i përkëdhelur gjatë në shpresat tona, për të patur një ditë një Atdhe të bashkuar, bashkëkohor, evropian, të qytetëruar, siç e përfytyronte, e konceptonte dhe e donte Ai”.

            Me këtë fragment të shkurtër, që besoj se nxit te secili prej nesh ndjenja e përsiatje, të nxjerrë nga ky vëllim, po e përfundoj fjalën time duke ju përshëndetur përzemërsisht e duke i u falënderuar miqësisht për praninë tuaj në këtë ditë të shënuar për mua e familjen time, ju uroj të gjithëve mbarësi e të mira pa fund në familjet tuaja.

            Faleminderit    


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>