Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

PRINCI dhe 5 shekujt e tij

$
0
0

Nga Arjan Th. Kallço/

Në këtë datë 10 dhjetor 2013, si për koinçidencë të ngjarjeve, Italia përkujton disa emra të shquar të jetës dhe kulturës kombëtare: libri i Makiavelit Princi, Çmimi Nobel në Letërsi për femrën e parë italiane Gracia Deleda, ndarjen nga jeta të Luigji Pirandelos. Tre personazhe që nuk mund të mbeten brenda kufijve të Italisë, kufij që për ta nuk ekzistojnë më, pasi kudo në botë në mjediset akademike, letrare, shkollore e poltike, i njohin dhe i studiojnë.

Në këtë datë, 500 vjet më parë, i ulur diku në një qoshe të dhomës së vet, Makiaveli i shkruante mikut të vet një letër të thjeshtë, ku i fliste për jetën e tij dhe për një sihariq të mirë, një libërth që më pas do të zhndërrohej në një ikonë e kohës së atëhershme, por edhe e kohës moderne të sotme.

Në këtë datë në një sallë madhështore shkrimtarja e famshme italiane mbante fjalimin e saj të detyrueshëm të laureimit, rast që nuk kishte patur precedentë të tjerë, sepse ishte femra e parë në historinë e botës që e meritonte këtë çmim.

Në këtë datë ndërronte jetë një gjeni i letrave, dramaturgu, shkrimtari dhe poeti nobelist italian Luigji Pirandelo, njeriu që i dha ndriçimin e penës së vet, gjinisë më të fuqishme të artit, teatrit.

Rreth 500 vjet më parë po shihte dritën e botimit një prej librave më të diskutuar në botë, i parë nga këndvështrime të shumta të mendimit njerëzor, njëri prej tre librave më të famshëm italianë, pas Komedisë së Dantes dhe Pinokut të Kolodit. Libri që mban titullin De Principatibus, dhe që më vonë u transformua në Princi, është konsideruar një traktat i doktrinës politike. Në vepër autori ka paraqitur idetë e tij për disa prej karakteristikave që duhet të kenë principatat dhe metodave për t’i mbajtur dhe pushtuar ato. Kaq e gjerë është fama e librit dhe e mendimit të tij, saqë jo vetëm u përdorën në çdo kohë prej sovranëve, shpesh edhe të keqinterpretuara qëllimisht prej tyre, por pasuruan fjalorin, edhe atë politik, me fjalët makiavelizëm dhe makiavelist.

Makiaveli (1469-1527) ka qënë politikan, shkrimtar politik, historian, dramaturg, filozof dhe hartues traktatesh. Dy janë veprat që krijuan një mendim poltik dhe që i dhanë famë : Princi dhe Ligjëratat. Makiaveli ishte njeriu i gjithanshëm që i përkiste Rilindjes, pasi kjo rrymë përshkruan plotësisht njeriun dhe letrarin makiavelist, përcaktim që tregon zgjuarsi të mprehtë dhe të hollë, por të jetë edhe antikonformist. Tek jeta dhe vepra e tij ndihet qartë krenaria dhe realizmi se ai krijoji shkencën moderne politike.

Në fakt fraza e famshme “qëllimi justifikon mjetin” nuk është shkruar kështu nga Makiaveli, por një tjetër kolos i letrave italiane, Francesko De Sanktis, përmblodhi mënyrën e gabuar të interpretimit që i bënin mendimit të Makiavelit.

Libri Princi në formën e tij të plotë përbëhet disa elementë : një dedikim dhe 26 kapituj me gjatësi të ndryshme shtrirje faqore, si dhe në fund të tij, ka një një apel që autori i drejton familjes Medici, me qëllim që t’i pranonte dhe t’i bënte të vetat tezat e librit të saposhkruar nga dora e tij.

Vepra e plotë u krijua në gjysmën e dytë të vitit 1513, por duhet theksuar se ka një kufi tjetër kohor njëri prej kapitujve dhe dedikimi që u përfunduan disa vjet më vonë. Megjithatë botimi i parë i vepërs së Makiavelit daton në vitin 1532.

Ai filloi ta shkruante Princin kur ndodhej në Shën Andrea, i burgosur, i akuzuar më vonë për një konspiracion kundër familjes protektore Mediçi. Në fillim mendoi t’ia dedikonte Xhuljano Mediçit, por më vonë, pas vdekjes së tij, ia dedikoi Lorenco Mediçit. Ipas të gjitha gjasave dhe studimeve të kryera vepra kishte një destinacion tjetër, drejtuesin dhe mbajtësin e pushtetit të familjes së tyre, me një synim dhe largpamësi shumë të saktë, është rasti ta theksojmë, makiaveliste, ta rifitonte detyrën e Sekretarit të Republikës.

Më datën 10 dhjetor 1513, ai i drejton mikut të tij, Francesko Vetorit, një letër si përgjigje ndaj letrës së këtij të fundit për jetën e vet në Romë. Në letrën e tij drejtuar Makiavelit ai i kërkonte shprehimisht t’i fliste dhe t’i shkruante për jetën e vet në Shën Andrea. Makiaveli nuk vonoi dhe i shkroi, duke i treguar për aspektet e paqytetëruara të jetës në fshat, për studimet e veta të kryera deri në atë kohë dhe për një libërth, pa e ditur se do të kaptë majat e famës botërore, me titull De Principatibus.

Letra e Nikolo Makiavelit drejtuar Francesko Vetorit më 10 dhjetor 1513

Me të mbërritur mbrëmja, kthehem në shtëpi dhe hyj në studion time; dhe tek dera heq atë veshje të përditëshme, plot me njolla bate dhe të zambakut të ujit* dhe vesh rrobat mbretërore dhe kishtare; dhe me t’u veshur në mënyrë të denjë, hyj në oborret e lashta të njerëzve të lashtë, ku, prej tyre pritem me dashuri, ushqehem me atë ushqim që është vetëm i imi dhe që unë linda për të; ku mua nuk më vjen turp të flas me ta dhe t’i pyes për arsyet e veprimeve të tyre; dhe ata me njerëzillëkun e tyre më përgjigjen; dhe unë për katër orë nuk ndjej asnjë mërzi; harroj çdo lodhje, nuk i druhem varfërisë, nuk më trëmb vdekja, gjithçka e transferoj tek ata. Dhe meqë Dante Aligieri thotë se nuk bëhet shkencë pa e marrë në konsideratë dhe pa e kuptuar, unë vura re atë që nga biseda e tyre nxora kapital, dhe krijova një libërth de Principatibus.

*Luja e parë që lindi nga kaosi dhe që lindi universin, perënditë dhe njerëzit.

Në dy libra e tij Princi dhe Ligjëratat autori shpreh idetë e tij për rolin e principatës dhe princit në qeverisje. Por në to do të gjejmë të kristalizuara qartë disa aspekte të këndvështrimit të tij të gjerë në lidhje me traditën e ndritur të lashtësisë dhe të jetës kur jetoi. Disa nga pikat më të rëndësishme sipas mendimeve të studiuesve janë :

Klasicizmi i dëshpëruar, apo bindja që nga Roma e lashtë mund të nxirren rregulla për politikën e mirë, gjithmonë të vlefshme; natyralizmi bazë dhe pesimizmi antropologjik; mungesa e një projekti hyjnor në historinë njerëzore dhe të natyrës; qëndërsia e luftës si kusht i pandashëm në realitetin poltik; konsiderata për funksionin politik të fesë dhe të institucioneve të kultit; meditimi mbi fatin; vëmendja për ndarjet shoqërore të kapura në lidhjet e tyre me formën institucionale të shtetit.

 

Princi edhe sot konsiderohet një vepër që nuk është vetëm një teori e veprimit të përsosur poltik dhe një fenomenologji e principatave, por edhe një projekt për të tashmen. Në rrafshin administrativ lokal ajo shihej si një përvijëzim i një principate qytetare që kishte prejardhje nga e shkuara fiorentine, ndërsa në atë kombëtar, ishte një thirrje për veprim të vendosur ushtarak kundër dominimit të huaj. Është një lloj garancie me të cilin autori shpresonte rifutjen e vet në politikën aktive, pas ekzilit të detyruar. Por libri zgjoi edhe imagjinatën e sovranëve të tjerë, të njerëzve të pushtetit dhe shtetit, pse jo edhe të vetë popullit për republika dhe principata ndoshta utopike, që nuk u krijuan kurrë ndonjëherë, as nuk u njohën më në qënien e tyre. Makiaveli shprehet në mënyrë tepër konçize lidhur me krijimin apo ekzistencën e një principate të drejtë : “…Sepse (vihet re një ndryshim, A.K) ka largësi nga jeta reale dhe nga ajo sesi duhet të jetojmë;  sepse një njeri që dëshiron të bëjë një profesion të mirë, i duhet të mbledhë mes të shumtëve, ata që janë të mirët”.  Për Makiavelin politika është për nga struktura konfliktualitet, por administrim sa më shumë i mundur racional dhe i dobishëm i saj, pasi tregon gjendjen njerëzore, por kurrë cungim utopik apo shtypje e saj. Në thelbin e vet poltika është një lidhje ngjarjesh që ka fitmitarë dhe të mundur, njërëz që komandojnë dhe ata që binden, njerëz që duan ta ruajnë ekuilibrin dhe të tjerë ta përmbysin atë. Udhëheqës, shoqëri dhe sisteme e morën dhe e përvetësuan, herë me të drejtë, herë pa të drejtë, thënien e tij në lidhje me qëllimin dhe mjetin, sipas së cilës çdo veprim i Princit (udhëheqësit apo liderit të sotëm) do të justifikohej, edhe pse në kundërshti të hapur me ligjet morale. Ja se çfarë shkruan vetë Makiaveli për këtë keqinterpretim që iu bë mendimit të tij dhe që shpesh pati pasoja tragjike në botë : “Le ta fitojë dhe ta ruajë shtetin një princ, mjetet do të justifikohen gjithmonë të nderuara dhe nga dikush të lëvduara”. Por në një pasazh të vetin ai e shpjegon marrëzinë e mundshme: “një princ që mund të bëjë çfarë të dojë është i marrë, një popull që mund të bëjë atë që do nuk është i mençur”. Prandaj është i marrë ai që beson se mund të thotë dhe bëjë çfarë të dojë, pra ai që mendon se qëllimi i justifikon mjetet. Tek Makiaveli shpëtimi i shtetit është i nevojshëm dhe duhet të vijë para bindjeve personale etike të princit, ai nuk është padron, por shërbëtor i shtetit. Nëse do ta merrnim listën e cilësive të një shtetari të sotëm, të deklaruara për këdo që kërkon të marrë në dorë fatet e kombit, disa nga cilëzitë bazë janë fryt i mendjes së tij të jashtëzakonshme. Ai fliste vërtet për një princ ideal, por kurrë të idealizuar. Çfarë cilësish duhet të ketë një udhëheqës dje dhe sot? Sipas Makiavelit së pari të tregojë GADISHMËRI që të imitojë sjelljen e njerëzve të mëdhenj të shkuar dhe të sotëm; më pas AFTËSI të tregojë nevojën e një qeverie për mirëqënien e popullit dhe jo për veten dhe klanin e vet; dhe nëse nuk ia arrin dot ta realizojë ëndrrën e vet, duhet të ketë aftësi për të kuptuar se forca dhe dhuna jo gjithmonë MUND të jenë thelbësore për të mbajtur stabilitet dhe fuqi; por kjo kërkon KUJDES dhe pjekuri të madhe, përultësi dhe URTËSI që të kërkojë këshilla kur është e nevojshme.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>