Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

FOTO BIXHILI NGA DHËRMIU, ATDHETARI SI NJË ESHTËR RILINDASI

$
0
0

nga MSc. Albert HABAZAJ*/
Ndër personalitetet e kulturës, me origjinë nga krahina e Himarës, që kanë kontribute të spikatura ndërshqiptare, krahas Spiro Çomorës, Andrea Varfit, Aleks Çaçit, Neço Mukës, Nase Benit, Petro Markos, Odhise Grillos, Anastas Kondos e Lefter Çipës rri bukur dhe emri i njeriut, mësuesit, krijuesit, poetit dhe studiuesit Foto Bixhili. Shoqëria po i feston Fotos 75 vjetorin e lindjes. Nga kopshti i viteve, Ai zgjodhi tre libra historiko – etnokulturorë, dy për Himarën e një për Dhërmiun, si dhe dy memorialistikë, për të drejtën zakonore (dokesore), kodin moral, martesën tradicionale në zoën e Bregut dhe kodin etik. Nëqoftëse do të flasim për kohët modern, në brigjet e Himarës, pas Petro Markos, vjen Lefter Çipa e Foto Bixhili, që shquajnë për dinjitetin kombëtar, për punët e tyre, që janë vlerë e shtuar, sidomos përsa i përket etnogjenezës. Foto Bixhili është një copë shkëmb në brigjet e Jonit, ku dallon eshtra kombëtare. Foto Bixhili është vijues i Petro Markos, kalorësit rrebel të Lirisë, është shembëlltyra e tij në bashkëkohësi. Kontributet e tij janë në edukim, publicistikë, në poezi dhe sidomos në etnokulturën shqiptare. Me modesti, ai e quan veten “i zakonshëm i kohës”. Foto Bixhili është vërtet një eshtër shkëmbore vitale e Rilindjes së Re Kombëtare, [(parë në rrafshin kombëtar, të asaj Rilindjes së vërtetë Kombëtare të Pashko Vasës, De Radës, Gavril Darës (i Riu), Zef Serembes, Zef Skiroit, Dhimitër Kamardës, Anton Santorit, Vinçens Stratikoit, Filip Shirokës, Tre Vëllezërve Frashëri, (Abdyl, Naim e Sami), Kostandin Kristoforidhit, Naum Veqilharxhit (Bredhi), Hasan Tahsinit, Haxhi Zekës, Sulejman Vokshit,Ymer Prizrenit, Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Papa Kristo Negovanit, Dora D’Istrias (Helena Gjika), Zef Jubanit, Thimi Mitkos e Spiro Dines, Mihal Gramenos, Vëllezërve Bajo e Çerçiz Topulli, Risto Siliqit e Hilë Mosit, Vëllezërve Gjergj e Gjerasim Qiriazi, Motrave Qiriazi, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Isë Boletinit, Ded Gjon Lulit, Idriz Seferit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Rasih Bej Dinos e Marigo Posios, Miro Tërbaçes, Shote Galicës dhe Azemit, Çajupit, Mjedës, Serembes, Konicës, Fishtës e Asdrenit, të Halim Xhelos e Sulejman Delvinës, të Osman Haxhiut e Aqif Pashë Elbasanit, Elez Isufit e Babë Dudë Karbunarës e tërë atyre Pishtarëve të vërtetë të Dritës; sepse dhe vetë zotëria Foto shprehet: “Partia ime është Dhërmiu, politika ime është Shqipëria”)]. Nuk është vetëm portreti fizik i F. Bixhilit, që shpreh në mënyrë lëndore këtë cilësi të vyer njerëzore, as trupi i drejtë, i lartë e i fortë si bredhat e vargmaleve të Akrokerauneve, as sytë që i xixëllojnë si hark vetëtime e as balli i rrahur nga rrebeshet e i larë nga dielli mbi Çikë. Është pikërisht shpirti i tij fisnikërisht i bukur, që mbjell lule atdhetarie për të lulëzuar me aromë Shqipërie. Është pikërisht shpirti i tij i mbuluar me zjarr pranë detit me oshëtimat e malit me njëmijë rrufe, që e radhit Foto Bixhilin ndër emrat e respektuar jo vetëm në Himarë, Labëri e Vlorë, por e bën djalin e Dhërmiut të njohur në mbarë trevat shqiptare, edhe jashtë kufijve shtetërorë. Me kontribute të vlefshme në arsim një jetë të tërë, me botime veprash serioze historike, etimologjike, etnografike e etnofolklorike, si dhe me një vjershërim lirik të hijshëm, të ëmbël e të zjarrtë mëmëdhetar, si një degë e blertë e ullirit të Bregut, Foto Bixhili të detyron vetvetiu një respekt të merituar.
Ndër botimet kryesore të autorit është libri: “Jipet e Iperit – Himariotët”, botuar nga “Toena”, e cila nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të deputetit Fatmir Toçi, po boton veprën e plotë studimore e krijuese të Foto Bixhilit. Pena e palodhur e Fotos nuk ngjyhet me bojë, ajo ngjyhet në shpirt e në Atdhe. Botimet e F. Bixhili janë “Jipet e Iperit”, ku përmblidhen studime sociale, 2004; “Himara në Optikën e kohës”, shkrime dhe opinione: 1991-2005, ku trajton gjendjen sociale, tranzicionin demokratik, studime sociale, shkrime, korespodenca me shtypin, 2005; “Dhërmiu: Dhrimadhet e Akrokerauneve”, ku përfshihen studime sociale, shkrime për historinë e trevës, gjuhën shqipe e biografi, 2007; “Jetërrëfime”, me kujtime, rrëfime vetiake e bulëza studimesh të kristalta për letërsinë shqipe, 2011; “Triptiku i shenjtë i martesës, kodi etik i familjes” ku flet për etikën familjare, martesën, moralin e saj dhe vlerat që përçon për shoqërinë e sotme, 2014, si dhe bulëzën e pastër të vjershërimit jonian “Kopshti i viteve”, me poezi e poema, 2005, të cilat do të pasohen nga një kolanë e pasur studimore me contribute për etnogjenezën, në kërkimtë gjenezës dhe etnogjenezës, për rrënjët e vjetra dhe të reja të himariotëve që në lashtësi e deri në sotshmëri, sidomos të trevës së himarës, sipas kuptimit vërtetësor që Himarë domethënë Labëri dhe Labëri do të thotë Himarë. Mbledhësi i shquar i traditës popullore të trevës emërmadhe të Himarës, intelektuali i Dhërmiut, përbën një arkiv të gjallë, që pasuron visaret brilante të kulturës sonë Kombëtare. Vepra e botuar dhe ajo që, në vijim, lexuesi pret me dëshirë nga autori, është një dritë e pishtarit të pafikur të Bregdetit, i cili sidomos në kohët e sotme rrokopujë vërtet merr përmasa të ndritshme pafundësisht.
Kur shikoj e studjoj veprën e Foto Bixhilit, më duket sikur Petro Nini Luarasi është gjallë, sikur Petro Marko jep një përgjigje, sikur Aristidh Kola rizgjohet të flaës ilirisht për origjinën tonë pellazgo – ilire. Duke respektuar e vlerësuar punën kërkimore – shkencore e letrare të Foto Bixhilit, ne dhe brezat që vijojnë vendosim lule mirënjohjeje në panteonin e korifejve të Kombit, ku dritërojnë rilindasit tanë të vërtetë, ata të që përmenda në fillim të shkrimit, me yjet që pltësojnë Konstelacionin e Dritës së Përparimit Shqiptar në Yjësinë Njerëzore. Në këtë veprimtari të përkushtuar, me vezullimin e Qiririt të NAIMIT, Foto Bixhili nuk është vetëm dhe assesi “i fundmi i mohikamëve”. Veprimtarinë e shoqërisë letraro – kulturore të Vlorës për promovimin e birit të denjë dhe mikut të zjarrtë të shkrimit për shqiptarinë Foto Bixhilit, duke vlerësuar kontributin e tij në etnokulturën shqiptare, gazetari i mirënjohur i ATSH, Harilla Koçi e pasqyroi edhe në faqen elektronike të shtypit shqiptar me këtë substancë të saktë dhe të dashur informacioni: “VLORË, PROMOVOHET KRIJIMTARIA E STUDIUESIT FOTO BIXHILI – Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së studiuesit, poetit, publicistit vlonjat Foto Bixhili, biblioteka publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, Shoqata Atdhetare Kulturore “Ismail Qemali” dhe shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës, organizuan një takim në mjediset e kësaj biblioteke për të promovuar krijimtarinë e tij në vite. Studiuesi Foto Bixhili është autor i disa librave studimorë për krahinën e Himarës, mes të cilave “Himara në optikën e kohës”, “Dhërmiu, Dhrimadhet e Akrokerauneve”, “Jipet e iperit, Himariotët”, “Jetërrëfime”, “Triptiku i shenjtë i martesës, kodi etik i familjes”, “Kopshti i viteve” etj. Bixhili, i lindur në fshatin Dhërmi, ku ka marrë edhe mësimet e para dhe ku nisi edhe rrugën e jetës, ka punuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa zona të vendit. Ky fakt, sipas studiuesve vlonjatë, ka shërbyer si një faktor nxitës për të krijuar tek ai dimensionin e një hulumtuesi tek traditat e zonës ku ai ka origjinën, por edhe më gjerë. Në takimin promovues të krijimtarisë së tij ishin të pranishëm mjaft intelektualë, poetë dhe shkrimtarë, miq dhe bashkëfshatarë të autorit. Mbi jetën dhe veprën e autorit Foto Bixhili folën shkrimtari Eqerem Canaj, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe “Mjeshtër i Madh”, shkrimtari Çlirim Hoxha, poetja dhe përkthyesja Laureta Petoshati, Telo Kolagji, Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Labëria” Vlorë, poeti, studiuesi dhe publicisti Albert Habazaj, Faslli Koçiu, Seri Xhaferi, shkrimtari Astrit Hajdini, Remzi Gjika, këngëtari i grupit të bregdetit të Himarës, poeti dhe shkrimtari Kristo Çipa etj. Në përfundim, autori Foto Bixhili falënderoi të pranishmit dhe diskutantët për fjalët e ngrohta që thanë për krijimtarinë e tij.Më pas Grupi i Bregdetit të Himarës krijoi një atmosferë festive në sallë me këngë nga repertori i krahinës”.
*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
Vlorë, e mërkurë, 12. 11. 2014


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1274

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>