Ky panair do të ketë çmimin e madh “Jeronim de Rada”, që do të jetë edhe kurorëzimi i veprimtarive/
Në Panairin e 17 të Librit shtëpia botuese “ArgetA-LMG”, më dinjitozja/
Shkruan:Albert Z. ZHOLI/
Më së fundi Panairi i librit “Tirana 2014” ka çelur sot tiparin në ambientet e pallatit të Kongreseve në edicionin e 17-të. Ky Panair aq i diskutueshëm do të qëndrojë i hapur për të gjithë dashamirësit e librit deri në më 16 nëntor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 22:00.
Në fjalën e tij të hapjes Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri e cilësoi këtë Panair si “një kontribut të njerëzve qe merren me letrat shqipe”, Panairi i sivjetmë ka gjetur mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Amerikane. Për më tej kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti ka theksuar se, “këtë vit vijnë edhe tituj librash nga kjo akademi, ku ka veçuar kontributin për librat që do të shoqërojnë 200-vjetorin e De Radës dhe festën kombëtare të çlirimit të Shqipërisë”. Në Panairin e 17 të Librit marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe është Panairi i 17 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Për herë të parë ky aktivitet madhor është zhvilluar në vitin 1998. Risi e këtij Panairi është se do t’i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada. Për këtë qëllim tek hyrja e Pallatit të Kongreseve, është vendosur një portret i De Radës, por edhe te aktivitetet e shumta që u zhvilluan ditën e parë të Panairit, në shumë stenda ishte portreti i tij. Ky Panair do të ketë Çmimin e madh Jeronim de Rada, që do të jetë edhe kurorëzimi i veprimtarive për De Radën.
Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG”, më dinjitozja
Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG” vjen në panairin e 17-të të librit me kryeveprat e letërsisë botërore si: “Panairi i kotësive” i Ulliam Theker, botim i plotë i “Novela” të Stefan Cvajg, botim i plotë “Novela & Tregime” të Anton Çehovit , “Lirika & Poema” të Sergej Eseninit , “Kostandinopoja” me autor Edmondo De Amiçis dhe një botim enkas për Panairin e Librit “Femrat” e Çarles Bukovskit.
Nga autor shqiptarë në këtë panair prezantohet me tre botimet e tij të librave të shahut, nga mjeshtri i shahut Edmond Bushi. Një tjetër autor shqiptarë vjen me dy botime enkas për panairin e librit, Nuri Plaku me titujt “Ekologjia e Kulturës” dhe ” Bibla e udhëve të mia”. Që në ditën e parë pranë stendës së saj u panë me qindra vizitorë. Pranë kësaj stende vizitorët panë, larmishmëri titujsh, korrektësi shërbimi, komunikim qytetar, reklamë të veçantë. Me këtë shtëpi botuese mund të kontaktoni për librat e dëshiruar në cel: 069 2096 205 dhe e-mail- argetalmg@yahoo.com
*********************************************
PLAÇI SE NA PLASËT
- Rreth panairit të librit-
Nga DRITA LUSHI
Të kërkoj ndjesë Zoti im, që përdor këtë fjalë qysh në krye të shkrimit. Shpresoj të më kuptosh Ti të paktën; Madje jo vetëm të më kuptosh, por madje dua të më ndihmosh në hallin që kam.
Halli që kam, është më i vogli për njerëzit dhe botën, por për mua është i madh. Le që nuk dua ta quaj hall, jo! Po e quaj problem, e problemet janë më të këqija akoma, se ato i krijojnë njerëzit. Kisha vendosur me gëzimin që më karakterizon të shkoja në Panairin e Librit që bëhet në Tiranë, të merrja ca para në portofol se s’mund të kaloja përpara autorëve miq dhe jo miq, pa i begenisur , pa një përshëndetje e pa u blerë librin. Se që thua ti Zoti im, këtu tek ne, shpirti mendja dhe koha po falen ose po ngelen rrugëve. E kam fjalën për librat, pra. Por gëzimi ishte më i madh se do paraqisja dhe librat e mi të fundit,në këtë panair. Është i vetmi vend ku edhe nëse nuk i blen njeri librat, të paktën nuk shkulen, të paktën shihen… Por do Ti, që shtëpinë botuese “ADA”, ku kam botuar librat unë dhe shumë autorë të tjerë, e krijuar qysh në vitin 1999, s’e pranuan në këtë panair, me gjithë të drejtën e pamohueshme për të qenë dhe ajo pjesëmarrëse ashtu si simotrat apo sivëllezërit e saj? Unë e di fort mirë se nuk i pasuron autorët shitja e 10,20,30, a më shumë librave, e di. E shumta do shtynin një muaj të mirë me ato para(flas për ata që s’punojnë) dhe ata që punojnë ca fundjava të bukura për frymëzime të reja.
Eh mor Zoti im!
Se qasën atë shtëpi botuese Brenda mureve te paepura të panairit, a thua se ajo s’kishte libra, e ne që botojmë aty s’jemi njerëz, nuk shkruajmë, nuk lëndohemi dhe nuk zhgënjehemi. Te lutem të më kuptosh ti të paktën, se rrokopujë që ndodh këtu nuk besoj të shkokolepset lehtë. Dheeeee e di Zot? Nuk është e para herë, që ndodh kjo. Si unë ka dhe shumë autorë të tjerë që kishin shpresuar shumë tek ky panair libri që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin tonë të dashur që i thonë Tiranë. Për çfarë? Thjesht që të paraqiteshin me librat e tyre; Por jetojmë aty ku ca, kanë dy nëna, e ca, janë jetimë. Kush do i zgjidhë këto padrejtësi Zot, e nëse jo robtë e njerëzit kush tjetër? Tek kush të shpresojmë Zot që të mos na vrasin shpirtin,kohën dhe zemrën që kemi vënë në ato libra, nga ca njerëz meskinë, të allishverisheve dhe të padrejtësive? E, nuk besoj se është një emër i përveçëm që luan me ne. E, nuk është hera e parë që ndodh. E, nuk jam e vetme që ndihem kështu. Pra më kuptove pse përdora atë fjalë mallkuese? Është e vetmja barrierë që mund të përmbajë duhmën e zemërimit që vjen nga një shpirt i zhgënjyer. Është hera e parë Zot që e përdor një fjalë mallkuese, por më vjen keq se duhet të të them se nuk ta jap fjalën, që do jetë e fundit. Zotërinj organizues të këtij panairi, s’më mbetet veç t’ju them: Plaçi se na plasët!
KRONIKE
Prej orës 09:00 të së mërkurës në Tiranë ka hapur dyert Panairi i 17-të i Librit “Tirana 2014”. Në stendat e vendosura në Pallatin e Kongreseve paraqiten me botimet e tyre të autorëve shqiptarë dhe të huaj rreth 100 shtëpi botuese.
Në përkujtim të 200-vjetorit të lindjes së autorit arbëresh, Jeronim De Rada sivjet çmimi kryesor që do të ndahet për autorin më të mirë do të jetë pikërisht “Çmimi Jeronim De Rada”.